Ministri polak: Putini tall mirëbesimin e Trumpit, siç e dëshmojnë sulmet në Sumi

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, tha të hënën se shpreson që presidenti amerikan Donald Trump dhe administrata e tij ta kuptojnë se Vladimir Putini “po tallet me mirëbesimin e tyre”.

Këto deklarata vijnë pas një sulmi vdekjeprurës me raketa nga Moska në qytetin ukrainas Sumi, raporton Reuters.

“Ukraina ka pranuar pa kushte një armëpushim që më shumë se një muaj më parë. Sulmet e neveritshme në Kryvyi Rih dhe në Sumi janë një përgjigje përqeshëse nga Rusia,” tha Sikorski në mbërritjen e tij në takimin e ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian në Luksemburg.

Sulmi ndaj civilëve ndodhi ndërsa Ukraina ishte ende në zi për 19 persona, përfshirë nëntë fëmijë, që u vranë në Kryvyi Rih më herët këtë muaj. Të dy sulmet ruse kanë ngjashmëri, duke kombinuar raketat balistike dhe municionin kasetë për të shkaktuar më shumë dëme.

Sipas ministrave të jashtëm, ky breshëri sulmesh tregon se Vladimir Putini nuk ka interes për të vazhduar negociatat për paqe që i promovon Donald Trump.

“Shpresoj që presidenti Trump dhe administrata amerikane ta kuptojnë se udhëheqësi i Rusisë po tallet me mirëbesimin e tyre dhe shpresoj që do të merren vendimet e duhura.” /Gazetaere

Kategoritë
BotaLajme