Ministri suedez në Beograd: Serbia të përshtatet me politikën e BE-së ndaj Rusisë

Ministri i Jashtëm i Suedisë, Billstrom pas takimit me presidentin serb, tha se Serbia duhet të përshtatet me politikën e BE-së ndaj Rusisë, ndërsa Vuçiq kërkoi mirëkuptim për qëndrimin e Serbisë

Ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom tha sot në Beograd se Serbia duhet të përafrohet me politikën e Bashkimit Evropian (BE) ndaj Rusisë dhe se pret zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjes dhe aneksit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, raporton Anadolu.

“Tani është e rëndësishme që Serbia të rreshtohet plotësisht me BE-në në lidhje me Rusinë dhe të zbatojë reformat. Sa i përket marrëveshjes, ne presim që të gjitha dispozitat e marrëveshjes dhe anekset të zbatohen menjëherë”, tha Billstrom në konferencën e përbashkët për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai shtoi se gjatë presidencës së BE-së, Suedia mban lartë agjendën e zgjerimit të Ballkanin Perëndimor, për shkak se vendet e rajonit janë partnerë që e mbajnë Evropën të qëndrueshme dhe të begattë.

“Pushtimi rus i Ukrainës ka ndryshuar rrënjësisht sigurinë e Evropës. Ne presim që partnerët tanë të koordinohen me ne dhe të marrin përgjegjësi strategjike për sigurinë e përbashkët”, tha Billstrom.

Vuçiq në konferencën për media tha se Billstrom këmbënguli që Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë, se “agresioni rus kundër Ukrainës ndryshoi gjithçka”, dhe se Suedia vendosi të anëtarësohet në NATO pas 200 vjet neutraliteti ushtarak.

“Unë thashë që ju duhet ta kuptoni edhe qëndrimin tonë, sepse neve pikërisht ky bllok na bombardoi pa lejen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në vitin 1999”, tha Vuçiq.

Duke folur për Kosovën, Billstrom tha se e ka uruar Vuçiqin për arritjen e “marrëveshjes historike me Prishtinën”, ndërsa Vuçiç tha se gjatë takimit ka përsëritur se Serbia do të përmbushë gjithçka nga marrëveshja, por nuk do të mbështesë hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe organet e OKB-së.

Vuçiq shtoi se sot është 10-vjetori i Marrëveshjes së Brukselit dhe se në momentin që Prishtina formon Asociacionin e komunave me shumicë serbe me të gjitha autorizimet, Serbia do t’i përmbushë obligimet e saj.

Billstrom tha se Serbia e ka vendin në BE dhe se nuk ka alternativë tjetër, ndërsa Vuçiq tha se Suedia është një nga vendet që e mbështet fuqishëm Serbinë në rrugën e saj evropiane.

“Ne i kuptuam të gjitha mesazhet e Suedisë, se duhet të vendosim sanksione, si duhet të sillemi në marrëdhëniet me Prishtinën. Ne jemi një vend i pavarur dhe sovran, do të marrim vendime në atë mënyrë, duke marrë parasysh gjithçka që na thatë si partneri ynë më i afërt”, tha Vuçiq.

Kategoritë
LajmeRajoni