Ministri Sveçla thotë se të gjitha “institucionet paralele serbe” në Kosovë janë mbyllur

“Siç edhe jemi zotuar, nuk lejojmë asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cenojë Kushtetutën e ligjshmërinë në vendin tonë”, theksoi Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, bashkë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë njoftuar se të gjitha “institucionet paralele serbe” në Kosovë, tashmë janë mbyllur.

Pas një operacioni policor të zhvilluar në disa rajone të Kosovës, të dy ministrat publikuan një video-mesazh për të informuar lidhur me çështjen.

“Nga sot, kapitulli i institucioneve paralele, ilegale, kriminale të Serbisë në Kosovë mbyllet. Në Banjë e gjithandej në pjesë tjera të Republikës së Kosovës objektet komunale, postat, zyrat tatimore dhe të gjitha mbetjet e institucioneve paralele përfundojnë”, theksoi ministri Sveçla.

Ministri Krasniqi tha se këto institucione paralele kriminale të Serbisë nuk kanë vend në Republikën e Kosovës.

“Nga sot 28 komuna paralele kriminale të Serbisë në Kosovë dhe 5 qarqet e tyre mbyllen përfundimisht”, theksoi ministri Krasniqi.

Ministri Sveçla bëri të ditur se aksioni policor u zhvillua në bashkëpunim midis Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Sipas Sveçlës, komunat paralele që u mbyllën gjatë mëngjesit të sotëm janë ajo në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale.

“Siç edhe jemi zotuar, nuk lejojmë asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cenojë Kushtetutën e ligjshmërinë në vendin tonë”, shkroi Sveçla në postimin e tij në rrjetet sociale.

Policia e Kosovës më parë konfirmoi se operacioni policor përfshinte rajonin e Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës dhe Mitrovicës së Jugut.

Policia e Kosovës vitin e kaluar zhvilloi aksione të ngjashme për mbylljen e strukturave paralele të Serbisë në disa komuna si në atë të Pejës, Skenderajt, Istogut, Klinës dhe në komunat veriore me shumicë serbe.

Gjithashtu, autoritetet kosovare mbyllën edhe degët e Postës së Serbisë në veri, e cila funksiononte me sistem të Serbisë në territorin e Kosovës.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi