Gjatë ditëve të fundit në media është raportuar se në QKUK, spitalet e tjera rajonale dhe në QKMF ka mungesë të NaCl-së 0.9% 500 ml dhe disa barnave të tjera esenciale.
Ndaj këtyre raportimeve, dje ka reaguar edhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), duke mohuar se ka një mungesë të tillë.
ShSKUK theksoi se ka stok të mjaftueshëm për tretje të infuzionit dhe ato shpërndahen në vazhdimësi në institucionet që menaxhohen nga ShSKUK, si në QKUK, ashtu edhe në spitalet e përgjithshme, shkruan lajmi.net.
Por ndryshe kanë deklaruar qytetarë të shumtë, të cilët edhe përmes blerjeve kanë dëshmuar se iu është dashur që të sigurojnë vetë furnizimin me NaCl dhe me barnat e tjera esenciale. Madje të njëjtit këtë e bën të ditur edhe publikisht në rrjetet sociale.
Lajmi.net në lidhje me këtë ka dërguar pyetje tek Ministria e Shëndetësisë të cilët kanë pohuar se QKMF-të kanë një mungesë të produktit NaCl 0.9% 500ml.
“QKMF-të kanë një mungesë të produktit NaCl 0.9% 500ml, e cila ka ndodhur për shkak të vonesës në furnizim nga operatori ekonomik. Për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve, në mungesë të këtij produkti, QKMF-të po përdorin NaCl 0.9% me sasinë 100ml si zëvendësim”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë.
Ata gjithashtu kanë pohuar se përveç tyre, mungesa ka edhe të produkteve Diclofenac amp 75mg dhe Dexazone amp 4m që sipas tyre janë në fazë të vlerësimit.
“Aktualisht ka një mungesë të përkohshme të produkteve Diclofenac amp 75mg dhe Dexazone amp 4mg, të cilat janë në fazën e vlerësimit Vlerësimi pritet të përfundojë në kohën më të shpejtë të mundshme. Sipas informacionit të fundit, këto dy produkte pritet të lidhen me kontrata dyvjeçare me operatorët ekonomikë”, ka thënë MSH për lajmi.net.
Qytetarët të cilët po trajtohen në Klinika të QKUK-së, gjithashtu kanë pohuar se mungon edhe aty NaCl 0.9% 500 ml e cila përdoret për tretjen e infuzionit duke thënë se ato po detyrohen ti blejnë vetë në barnatore private.
Në disa fotografi të NaCl-së e cila po përdoret në QKUK, shihet se banderola e tyre është e bardhë për dallim nga ato me të cilat furnizohen spitalet që kanë banderolë të kuqe.
Gjithashtu, te ato produkte shihet emri i prodhuesit tjetër për dallim nga ato që furnizohet QKUK që kanë prodhuesin “Hemofarm”.
Në komunikatën e lëshuar nga ShsKUK, vetë pacientët të cilët po trajtoheshin aty kanë pohuar se ka mungesa të tilla duke thënë se në Klinikën e Pediatrisë mungojnë edhe fllasterat për t’i kapur kanillat që vendosen tek pacientët.
“Nuk është fare dezinformatë por shume e vërtete, saktësisht mbrëmë në pediatri leje qe nuk ka pas infuzion, por nuk ka pas as fllastera për kanillë, jemi detyru me i ble te gjitha vetë. D.m.th po flasim për kushtet qe fëmijët tanë i kane ne këtë shekull. Turp për besë, turp!”, ka komentuar një nga pacientet.
Lajmi.net ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë saktësisht edhe për Klinikat në QKUK se si qëndron e vërteta, por të njëjtit kanë mohuar të përgjigjen duke na referuar drejt komunikatës së ShSKUK-së.
“Sa i përket Klinikave të QKUK-së, luteni t’i referoheni komunikatës së lëshuar nga ShSKUK, apo pyetjet t’i dërgoni në ShKUK për përgjigje.”
Duke iu referuar këtyre deklarimeve zyrtare dhe deklarimeve nga vetë pacientët që po trajtohen në kuadër të klinikave, duket se dikush po gënjen, madje hapur.
E tejet e paarsyeshme bëhet mungesa e barnave esenciale në klinika e spitalet e Kosovës, kur vetë ministri i Shëndetësisë Arben Vitia deklaroi se në vitin 2024 buxheti për barna dhe material shpenzues është rritur nga Qeveria e Kosovës.
“Kemi rritur buxhetin për barna dhe material shpenzues për shëndetësinë parësore, në mbi 21 milionë euro, kurse për shëndetësinë dytësore dhe tretësore, në 36 milionë euro, andaj përpilimi i Listës së re të Produkteve Mjekësore dhe Materialeve Shpenzuese është me shumë rëndësi”, ka theksuar ai./Lajmi.net/