Ministria e Kulturës mbështetje për bibliotekat komunale

Ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, tha se shuma e ndarë nga ministria në mbështetje të librit për vitin 2023 është 1 milion euro, nga 160 mijë euro sa ishte buxheti i librit gjatë vitit 2022

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me 31 biblioteka komunale të Kosovës, përfshirë ato të qyteteve kryesore në vend dhe bibliotekave në qyteza, raporton Anadolu.

Gjithsej 200 mijë euro janë ndarë për bibliotekat komunale në mënyrë proporcionale.

Secilës bibliotekë do t’i ndahet shuma e njëjtë prej 6 mijë e 451 eurove, ndërsa ato do të kenë të drejtën që t’i pasurojnë raftet e bibliotekës së tyre varësisht prej kërkesave të lexuesve të vendit përkatës.

Ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, tha se shuma e ndarë nga ministria në mbështetje të librit për vitin 2023 është 1 milion euro, nga 160 mijë euro sa ishte buxheti i librit gjatë vitit 2022.

Ai tha se nga 1 milion eurot, 500 mijë euro dedikohen për blerje dhe botim të revistave, 200 mijë euro nga të cilat u nënshkruan sot me bibliotekat komunale, ndërsa 300 mijë euro të tjera do të jenë për autorët e librave me qëllim të mbështetjes së tyre.

“Kjo është sa i përket instrumentit financiar, në mënyrë që të kemi sa më shumë mundësi për të blerë libra dhe për të punuar në programet e lexueshmërisë në vendin tonë”, theksoi Çeku.

Tutje, ministri Çeku tha se sivjet do të nisë një komunikim i ministrisë me komunat po ashtu, për të kërkuar nga secila komunë që të tregohet për gjendjen e ndërtesave të bibliotekave komunale në mënyrë që të fillohet të planifikohet buxhet i veçantë për rinovimin e bibliotekave komunale.

Kategoritë
LajmeVendi