Ministria e Shëndetësisë në Gaza bën thirrje për “rritje të menjëhershme” të rezervave të ilaçeve

“Bëhet thirrje urgjente për rritjen e stoqeve të barnave në spitale dhe qendrat e kujdesit shëndetësor që janë parësor”, thuhet në deklaratë

Ministria e Shëndetësisë në Gaza bëri një “thirrje urgjente” për rritjen e rezervave të barnave në spitale dhe qendra të kujdesit shëndetësor parësor në Gaza, ku Izraeli ka bllokuar hyrjen e ndihmave humanitare, ilaçeve dhe furnizimeve mjekësore, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e ministrisë u theksua se mungesa e ilaçeve dhe furnizimeve mjekësore në Gaza ka arritur në “nivele të rrezikshme dhe të paprecedentë”.

“Bëhet thirrje urgjente për rritjen e stoqeve të barnave në spitale dhe qendrat e kujdesit shëndetësor që janë parësor”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

Po ashtu tërhiqet vëmendja se në stoqe mungojnë 37 për qind të barnave bazë dhe se 59 për qind e listës së furnizimeve mjekësore është gjithashtu e konsumuar.

Ndër të tjera raportohet se sallat e operacionit, njësitë e kujdesit intensiv dhe shërbimet e urgjencës po përpiqen të ofrojnë shërbim me stoqet e varfëruara të barnave dhe furnizimeve mjekësore.

“80 mijë të sëmurë me diabet dhe 110 mijë të sëmurë me hipertension nuk kanë mjekim në qendrat e kujdesit parësor shëndetësor. Kanë mbaruar stoqet 54 për qind e ilaçeve për sëmundjet e kancerit dhe sëmundjet e gjakut”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratën ku vihet në dukje se Izraeli po pengon hyrjen e ilaçeve dhe ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, theksohet se mbajtja e pikave kufitare të mbyllura po thellon më tej krizën e ilaçeve.

Gjithashtu theksohet se në Gaza përjetohen vështirësi serioze në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për të sëmurët dhe të lënduarit.

– Kriza humanitare në Gaza po thellohet dita-ditës

Izraeli mori vendim të ndalojë hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës që nga 2 marsi, pas përfundimit të fazës së parë 42-ditore të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve me Hamasin.

Rreth 2 milionë njerëz janë zhvendosur në Rripin e Gazës që ka një popullsi prej 2.3 milionë banorësh, si rezultat i sulmeve të kryera nga ushtria izraelite që nga 7 tetori 2023. Duke shënjestruar edhe infrastrukturën civile dhe spitalet, Izraeli ka shkaktuar një fatkeqësi humanitare në Gaza.

Ndërprerja e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në rajon dhe mbajtja e pikave kufitare të mbyllura thellon më tej kushtet e vështira të përjetuara nga palestinezët në Gaza.

Ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj të dhunshme mëngjesin e 18 marsit, duke prishur armëpushimin që hyri në fuqi në Rripin e Gazës më 19 janar.

Të paktën 1.522 palestinezë, kryesisht të moshuar, gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe 3.834 të tjerë janë plagosur në sulmet që ushtria izraelite ka rifilluar që nga 18 marsi.

Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023 është rritur në të paktën 50.886, ndërsa numri i të plagosurve në 115.875.

Kategoritë
BotaLajme