Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra, tha se gjendja humanitare dhe mjekësore në spitalin Nasser, ku forcat izraelite kanë shënjestruar rrethinën e tij dhe kanë kufizuar lirinë e lëvizjes, ka arritur një nivel katastrofik
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra, bëri të ditur se kanë mbaruar ilaçet e anestezisë në sallat e operacionit në spitalin Nasser në Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës, raporton Anadolu.
Në deklaratën e tij me shkrim, al-Qudra tha se gjendja humanitare dhe mjekësore në spitalin Nasser, ku forcat izraelite kanë shënjestruar rrethinën e tij dhe kanë kufizuar lirinë e lëvizjes, ka arritur një nivel katastrofik.
Duke deklaruar se spitali mund të funksionojë me 10 për qind të kapacitetit të tij të personelit në kushte jashtëzakonisht të vështira, al-Qudra tha se “barnat e anestezisë në sallat e operacionit në Kompleksin Mjekësor Nasser kanë mbaruar dhe nuk ka mbetur ushqim në spital”.
Duke u shprehur se kanë mbaruar edhe ilaçet kundër dhimbjeve që përdoren për të sëmurët dhe të lënduarit, al-Qudra tha: “Sasia e karburantit në spital është e mjaftueshme për më pak se pesë ditë”.
Al-Qudra kishte tërhequr vazhdimisht vëmendjen për mungesën e ilaçeve dhe furnizimeve mjekësore në Rripin e Gazës, ku Izraeli po kryen sulmet e tij për 111 ditë, dhe theksoi rëndësinë e dërgimit të karburantit për përdorimin e pajisjeve elektrike në spitale.
Al-Qudra ka deklaruar shumë herë se ai është i shqetësuar se Izraeli do të bëjë të njëjtën gjë me spitalet në jug të Gazës siç bëri me spitalet në pjesët veriore të Gazës.
Forcat izraelite fillimisht bombarduan rrethinat e spitaleve në veri të Rripit të Gazës, më pas i shënjestruan drejtpërdrejt, i rrethuan, i bastisën dhe ndaluan personelin mjekësor dhe pacientët.
Teksa forcat izraelite kanë shënjestruar qytetin Khan Younis dhe spitalet përreth me sulme ajrore intensive dhe zjarr artilerie që nga fillimi i javës, ata vazhdojnë pushtimin e tyre nga toka në pjesët jugore dhe perëndimore të qytetit.