Në kuadër të marrëveshjes do të sigurohet shkëmbimi i informacioneve dhe i përvojave midis Ministrisë dhe Odës Tregtare në projektet që do të mbështesin zhvillimin ekonomik.
Ministria e Zhvillimit Rajonal të Kosovës dhe Oda Tregtare Kosovaro-Turke (OTKT) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në fushat që do të mbështesin zhvillimin ekonomik, raporton Anadolu Agency (AA).
Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit, është zhvilluar në sallën e konferencave të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal ku morën pjesë ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës, Enis Kervan, kreu i Odës Tregtare Kosovaro-Turke, Abdurrahman Balkız dhe zyrtarë të tjerë.
Kervan, në deklaratën e tij pas nënshkrimit të marrëveshjes, tha se marrëveshja e bashkëpunimit përfshin mundësi të aftësimit profesional dhe praktikës që do të mundësojë që të rinjtë kosovarë të punësohen në kompanitë turke.
Ai nënvizoi se investitorë të fushave të ndryshme nga Turqia janë duke operuar në Kosovë. “Shumë të rinj në Kosovë të diplomuar në universitete po enden nëpër rrugë. Mendoj se praktika do të jetë një mundësi për ato që të krijojnë një të ardhme për vete duke u punësuar”, tha ai.
Nga ana tjetër, Balkız tha se investitorët në Turqi synojnë të krijojnë vende të reja të punës dhe bashkëpunim të ri në Kosovë.
“Ne në kuadër të kësaj, në koordinim mes Ministrisë dhe Odës sonë do të mundohemi t’u ndihmojmë. Marrëveshjet e tilla gjithmonë lidhjet i mbajnë të freskëta dhe dinamike. Shpresoj që të dyja palët të përfitojnë nga kjo”, u shpreh Balkız.
Në kuadër të marrëveshjes do të sigurohet shkëmbimi i informacioneve dhe i përvojave midis Ministrisë dhe Odës Tregtare në projektet që do të mbështesin zhvillimin ekonomik.
OTKT u themelua në vitin 2008 me mbështetje të Ambasadës së Turqisë në Prishtinë. Oda zhvillon punime mbi zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, forcimin e lidhjeve të ndërsjella tregtare dhe investuese, tërheqjen e investimeve turke në Kosovë, rritjen e vëllimit të tregtisë.