Ministria palestineze e Arsimit: Mbi 17.000 fëmijë të vrarë në Rripin e Gazës që nga tetori 2023

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit të Palestinës, viktimat më të shumta të sulmeve izraelite në Rripin e Gazës janë fëmijët – mbi 17.000 prej tyre janë vrarë që nga tetori i vitit 2023 deri më sot.

Ministria këtë e bëri të ditur në një deklaratë për media me rastin e Ditës së Fëmijëve Palestinezë, që shënohet çdo vit më 5 prill. Në deklaratë thuhet se “arsimi në Palestinë, veçanërisht në Gazë, është nën sulm të drejtpërdrejtë të okupimit izraelit, i cili vazhdon të shkatërrojë shkolla dhe të pengojë fëmijët në qasjen e tyre në një mjedis të sigurt arsimor.”

Po ashtu, theksohet se nxënësit në Gaza, Jerusalemin Lindor dhe në zonat e klasifikuara si “zona C” në Bregun Perëndimor të pushtuar, përballen çdo ditë me sfida të mëdha për shkak të luftës në vazhdim.

“Më shumë se 17.000 fëmijë janë vrarë në Gazë, një shifër që reflekton thellësinë e tragjedisë që përjetojnë fëmijët – çdo numër përfaqëson një jetë të humbur, kujtime dhe përvoja të shkatërruara,” thuhet në deklaratë.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, lufta në Gazë ka lënë pas vetes rreth 39.000 fëmijë jetimë – pra fëmijë pa përkujdesje prindërore.

Fëmijët nën moshën 18 vjeç përbëjnë 43 për qind të popullsisë së Palestinës, me 3,4 milionë banorë në Bregun Perëndimor dhe 2,1 milionë në Rripin e Gazës, sipas të dhënave të Byrosë Qendrore të Statistikave të Palestinës.

Kategoritë
BotaLajme