Ministrja e Jashtme e BeH-së në Ankara: Me një Türkiye të fortë, Ballkani Perëndimor është më i fortë

Ministrja Turkoviç, pas takimit me ministrin e Jashtëm turk, Çavuşoğlu, deklaroi se BeH është një “vend i vogël i njerëzve të guximshëm” që ka mbështetje miqësore dhe partneriteti të jashtëzakonshme nga populli turk dhe presidenti Erdoğan.

Me një Türkiye të fortë, Ballkani Perëndimor është më i sigurt dhe më i fortë, tha në Ankara, zv.kryetarja e Këshillit të Ministrave dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Bisera Turkoviç, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit me ministrin e Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, Turkoviç deklaroi se BeH është një “vend i vogël i njerëzve të guximshëm” që ka mbështetje miqësore dhe partneriteti të jashtëzakonshme nga populli turk dhe presidenti Recep Tayyip Erdoğan.

“Jemi mirënjohës për përpjekjet e jashtëzakonshme që bëhen për përparim dhe stabilitet në Ballkan. Forcimi i vazhdueshëm i Türkiye-s, roli i saj global dhe gjeopolitik, si dhe progresi i saj ekonomik, teknologjik dhe çdo përparim na bënë të lumtur neve në BeH. Me një Türkiye të fortë, Ballkani Perëndimor është më i sigurt dhe më i fortë. Pa një Türkiye të fortë pyetja është se çfarë do të ndodhte, sigurisht që as Ballkani Perëndimor nuk do të ishte në paqe”, tha Turkoviç.

Në këtë kontekst, ajo i kushtoi rëndësi të veçantë Forumit Diplomatik në Antalya, i cili, siç tha ajo, bashkoi interesat e ndryshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke kontribuar në sigurinë e të gjithë rajonit.

“Historia i lidh dy vendet tona të mrekullueshme dhe unë besoj se ne ndajmë të ardhmen e përbashkët në Bashkimin Evropian dhe aleancën e NATO-s. Siç e dini, BeH kohët e fundit mori statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, për ne është një hap i rëndësishëm në drejtimin që duam të shkojmë. Sigurisht, jemi të vetëdijshëm se nuk do të jetë e lehtë”, tha Turkoviç.

Ajo theksoi se Türkiye ka një rol të rëndësishëm dhe konstruktiv në Ballkanin Perëndimor sa i përket investimeve dhe rikujtoi se në vitin 2021 ky vend ishte investitori i dytë më i madh në BeH.

“Sigurisht, duhet të forcojmë bashkëpunimin ekonomik dhe shohim një vullnet të fortë nga pala turke. Dy vendet tona nuk kanë çështje të hapura, kemi marrëdhënie shumë të mira. Këtë vit, më 29 tetor, Türkiye feston 100-vjetorin e Republikës. Përgëzojmë paraprakisht këtë përvjetor të rëndësishëm dhe urojmë suksese në të ardhmen, duam një Türkiye solide dhe të bashkuar nën udhëheqjen e presidentit Erdoğan”, tha Turkoviç.

Në fund ajo iu referua ndryshimeve gjeopolitike në botë, veçanërisht në Evropë, të cilat, siç tha ajo, ndikojnë në situatën në BeH.

“BeH është në një pikë kthese pa formimin e një koalicioni të qëndrueshëm dhe të gjerë pro-boshnjak dhe vazhdimin e reformave. Prandaj, e gjithë kjo tregon se po hyjmë në një periudhë politike shumë të pasigurt”, tha Turkoviç.

Kategoritë
BotaLajme