Ministrja Gërvalla tregon pse nuk e lejoi hyrjen e Vuk Jeremiçit në Kosovë

Ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiçit i është ndaluar sot hyrja në Kosovë.

Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla ka treguar se pse MPJ nuk ka miratuar sot hyrjen e tij në Kosovë.

“Mbështetja e Jeremiçit në parlamentin serb për atë që e kanë quajtur „riintegrim“ i Kosovës së pavarur në Serbi është i ngjashëm me planin e Putinit për „riintegrimin“ e Ukrainës – pra një recetë për luftë.

Kosova nuk do të tolerojë urrejtjen dhe agresionin ndaj një shteti evropian dhe demokratik. Evropa dhe SHBA-të duhet të vëzhgojnë me vëmendje veprimet e klasës politike në Serbi dhe në rajon. Radikalizimi i ish-drejtuesit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është vetëm një paralajmërim më shumë se oreksi i Serbisë dhe Rusisë për territore nuk është ngopur ende”

Tutje, në reagimin e Gërvallës thuhet se Rusia dhe Serbia nuk do të ndalen së krijuari gjithnjë e më shumë tensione në Ballkan për aq kohë sa SHBA-të dhe Evropa nuk dërgojnë sinjale të qarta dhe të fuqishme duke kërkuar me këmbëngulje zgjidhjen e vetme, pras sipas saj duke kërkuar nga Serbia njohjen e realitetit të ri në Ballkan pas luftërave të saj shkatërruese.

“Kosova është dhe do të mbetet e pavarur dhe sovrane, përkrahëse e fortë e perspektivës evropiane dhe NATO-s dhe në kufi me Serbinë. Kosova dhe fqinjët e tjerë të Serbisë, të cilët ende nuk janë anëtarësuar në BE, as nuk janë sferë e ndikimit të Serbisë, dhe as nuk do të „riintegrohen“ ndonjëherë në „Botën Serbe“ të Vuçiçit dhe Putinit”.

Kategoritë
LajmeVendi