Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, jep dorëheqjen nga detyra

Christine Lambrecht njoftoi se ka marrë vendim që të largohet nga detyra dhe këtë ia ka përcjellë kancelarit Scholz.

Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Christine Lambrecht, i ka dorëzuar kancelarit Olaf Scholz, letrën e dorëheqjes.

Në deklaratën e saj nga llogaria e Ministrisë së Mbrojtjes në Twitter, Lambrecht njoftoi se ka marrë vendim që të largohet nga detyra dhe këtë ia ka përcjellë kancelarit Scholz.

“Fokusimi i medias tek unë prej muajsh, nuk lejon shumë raportime dhe diskutime objektive për ushtarët, forcat e armatosura dhe vendimet e politikës së sigurisë në interes të qytetarëve gjermanë. Punimet e vlerësuara të ushtarëve dhe shumë njerëzve të motivuar në ushtri duhet të jenë në plan të parë. Prandaj vendosa që të largohem nga detyra”, theksoi ajo.

Lambrecht, gjatë detyrës së saj doli në pah me gafat e saj dhe ishte në shënjestër të kritikave.

Ajo deklaroi se nuk i di gradat në ushtri në një nga intervistat e para të saj pasi erdhi në detyrë në dhjetor të 2021. Edhe deklarata rreth dërgimit të 5 mijë helmetave në Ukrainë në janar të vitit 2022 para se të fillojë lufta në Ukrainë, kishte shkaktuar kritika.

Gjithashtu ministrja Lambrecht u kritikua edhe kur djali i saj publikoi fotografitë e shkrepura në helikopter të ushtrisë gjatë udhëtimit të tyre për të vizituar ushtarët. Pas vizitës, Lambrecht dhe djali i saj shkuan në pushime, ndërsa Lambercht pas disa muajve pranoi se ajo e kishte shkrepur fotografinë.

Së fundmi, Lambrecht, ndau një mesazh të Vitit të Ri mes fishekzjarreve në mediat sociale në natën e Vitit të Ri, gjë që shkaktoi kritika të forta dhe partitë opozitare kërkuan dorëheqjen e saj.

Kategoritë
BotaLajme