Ministrja gjermane e shtetit për Evropën dhe Klimën, Anna Luhrmann, tha se ajo dhe delegacioni i saj u kërcënuan me dhunë nga përfaqësuesit e Millorad Dodikut, presidentit të Republikës Srpska, gjatë vizitës së tyre të premten në qytetin më të madh të entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës.
Luhrmann, e cila në ditën e njëjtë u shpall person i padëshirueshëm nga Qeveria e Republikës Srpska, tha në X se u takua me shoqërinë civile dhe opozitën në Banjallukë, të cilën e përshkroi si qytet “të mrekullueshëm me njerëz të mirë”.
“Kah fundi i programit tim në Banjallukë, Dodiku e dëshmoi përsëri qasjen e tij destruktive. Përfaqësuesit e tij na kërcënuan me dhunë mua dhe delegacionin tim. Kjo është shenjë e dobësisë. Dodiku është tejet i izoluar dhe ka mungesë mbështetjeje nga qytetarët e Republikës Sërpska. Veprimet e Dodikut për shkëputje janë të papranueshme”, shkroi ajo.