Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, ka dënuar aktin e dhunës ndaj futbollistit të ri Belgin Jashari, i cili u sulmua fizikisht gjatë një ndeshjeje në Fushë Kosovë.
Në reagimin e saj, Haxhiu theksoi se ky veprim i papranueshëm përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijës dhe rrezikon mirëqenien emocionale të fëmijëve të pranishëm në këtë ngjarje sportive. Ajo shtoi se dhuna, veçanërisht ajo me motive racore, nuk ka vend në asnjë hapësirë që u dedikohet fëmijëve, dhe aq më pak në fushat sportive që duhet të jenë hapësira të lojës, zhvillimit dhe përfshirjes.
“Republika e Kosovës është atdhe i të gjithëve pa asnjë dallim. Shtypja, racizmi dhe çfarëdo dhune tjetër nuk mund të tolerohen. Ky rast duhet të trajtohet me seriozitet të lartë duke ndëshkuar autorin, me qëllim të parandalimit të rasteve të ngjashme në të ardhmen,” tha ministrja Haxhiu.