Ministrja kroate e Bujqësisë takon Ambasadorin e Shqipërisë në Kroaci

Gjatë takimit u ra dakord që ministrja Vuçkoviç të vizitojë së shpejti Shqipërinë në kuadër të përpjekjeve të të dyja palëve për zbatimin e forcimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve dypalëshe në sferën e bujqësisë

Ministrja kroate e Bujqësisë, Marija Vuçkoviç zhvilloi një takim me ambasadorin e Shqipërisë në Kroaci, Riza Poda me qëllim forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e bujqësisë dhe shkëmbimit në tregtinë e jashtme, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja kroate e Bujqësisë, Vuçkoviç së bashku me shefen e Drejtorisë për Politikë Bujqësore, BE dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Anita Sever-Koren, takuan ambasadorin e Shqipërisë në Kroaci, Riza Poda dhe deputeten Ermina Lekaj Prljaskaj për çështje të përbashkëta të tregtisë së jashtme dhe horizontet për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh të dy vendeve mike në fushën e bujqësisë, njoftoi Ministria kroate e Bujqësisë.

“Gjatë takimit, ministrja Vuçkoviç ra dakord të vizitojë Shqipërinë në kuadër të përpjekjeve të të dyja palëve për forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe në sferën e bujqësisë, veçanërisht për forcimin e mëtejshëm të shkëmbimit në tregtinë e jashtme. Në takim u theksuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimi midis dy vendeve për të realizuar interesat e përbashkëta përmes mbështetjes së duhur politike dhe teknike”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë theksohet se Agjencia e Pagesave në Bujqësi, Peshkim dhe Zhvillim Rural dhe Agjencia për Zhvillimin Rural të Shqipërisë kanë nënshkruar tashmë një marrëveshje bashkëpunimi.

Krahas memorandumit ekzistues të mirëkuptimit ndërmjet Ministrive të Bujqësisë të Kroacisë dhe Shqipërisë, në vitin 2020 janë dakorduar kushtet veterinare dhe shëndetësore për eksportin e produkteve të vezëve me autoritetin kompetent të Shqipërisë dhe u lëshua një certifikatë veterinare, duke pasur parasysh potencialin e konsiderueshëm të tregut shqiptar për eksportin e produkteve shtazore nga Kroacia.

Shkëmbimi i tregtisë së jashtme të produkteve bujqësore dhe ushqimore me Shqipërinë karakterizohet nga një suficit, një tendencë rritëse në importe dhe eksporte dhe mbulim i lartë i importeve me eksporte deri në 974 për qind ndërsa Shqipëria është një treg i rëndësishëm eksporti për Kroacinë për sa i përket peshkut të vogël të kaltër.

Kategoritë
LajmeRajoni