Minoritetet në Kosovë përballen me pengesa për shkak të mungesës së përdorimit të gjuhëve të tyre nga institucionet

Talliq, tha se gjuha është karakteristika më e thellë e një individi dhe për këtë hynë tek të drejtat themelore të njerëzve dhe është e mbrojtur me të gjitha konventat ndërkombëtare

Qytetarët e Kosovës nga radhët e minoritetit serb, boshnjak, turk, rom, përballen me pengesa në qasje për shkak të mospërdorimit të gjuhëve të tyre amtare në institucione dhe hapësira publike, raporton Anadolu Agency (AA).

Shembuj dhe raste të ndryshme të mospërdorimit të gjuhëve të minoriteteve në vende dhe raste të ndryshme në Kosove janë zbardhur edhe nga një raport i ri i publikuar nga organizata “Aktiv” në Kosovë me titull “Rekomandime për kornizën e politikave mbi zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”.

Autori i raportit, Nenad Talliq, tha se gjuha është karakteristika më e thellë e një individi dhe për këtë hynë tek të drejtat themelore të njerëzve dhe është e mbrojtur me të gjitha konventat ndërkombëtare.

Talliq tha se Kosova ka dy gjuhë zyrtare, shqipen dhe serbishten, por, me akte nënligjore institucionet janë zotuar të zbatojnë shumëgjuhësinë edhe në komuna me minoritete më të vogla, si turqisht, boshnjakisht dhe në gjuhën rome. Por, ai thotë se ky legjislacion megjithëse është i mirë, “nuk po zbatohet”.

“Ekziston edhe një kategori tjetër, ato janë gjuhët që përdoren në një territor të caktuar ku edhe në këto situata kemi gjuhën boshnjake, gjuhën turke, gjuhën rome, që përdoren në nivelin komunal dhe janë në përdorim zyrtar. Fakti është se kjo temë e cila është ende aktuale flet për atë se ky legjislacion është i mirë por që ai nuk përdoret dhe nuk është duke u zbatuar. Pra, mungesa e vullnetit politik është arsyeja primare për këtë gjendje”, theksoi Talliq.

Talliq tha se përdorimi edhe i gjuhëve tjera përpos shqipes është i garantuar me Kushtetutën e Kosovës, ligjet si dhe aktet nënligjore por edhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Por, ai përmendi raste të ndryshme kur një gjë e tillë nuk zbatohet. Talliq përmendi rastin e tabelave drejtuese në komunikacion dhe pranë institucioneve publike që shumë shpesh janë vetëm në gjuhën shqipe.

Në vitin 2012 Qeveria e Kosovës ka themeluar Zyrën e Komisionerit për Gjuhët

Talliq tha se shumë shpesh ku ministritë hapin mundësi të granteve në sektorë të ndryshëm siç është bujqësia, rastin për ta marrë këtë mbështetje e humbasin minoritetet, për shkak se gjuha e thirrjes së grantit ndodhë të jetë shkruar në shumicën e rasteve vetëm në shqip.

Po kështu, autori i raportit tha se shumë shpesh edhe në institucione të tjera sikurse janë bankat nuk kanë përshkrime të shërbimeve në gjuhën e minoriteteve, gjë e cila u paraqet pengesë atyre.

Për këto probleme, raporti ka rekomanduar se duhet fillimisht një fushatë publike për ndërgjegjësimin e institucioneve për rëndësinë e respektimit të të drejtave gjuhësore; themelimin e një fondi për mbrojtjen e kësaj të drejteje; punësimin e përkthyesve në nivel qendror dhe lokal e të tjera.

Në Kosovë ekziston Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, që përcakton qartë se qëllimi i tij është që të sigurojë përdorimin e gjuhëve zyrtare dhe ato të komuniteteve, gjuha amtare e të cilave nuk është gjuha zyrtare në institucionet e Kosovës, ndërmarrje dhe organizata tjera që realizojnë funksione dhe shërbime publike.

Në vitin 2012 Qeveria e Kosovës ka themeluar Zyrën e Komisionerit për Gjuhët në kuadër të kabinetit të Kryeministrit me qëllim të ruajtjes, promovimit dhe mbrojtjes së gjuhëve zyrtare dhe gjuhëve në përdorim zyrtar në komunat e Kosovës, si dhe për ta siguruar statusin e tyre të barabartë dhe mbrojtjen gjuhësore të komuniteteve.

Kategoritë
LajmeVendi