Marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë, pas ardhjes së qeverisë së re në Shkup, janë intensifikuar dhe aktivitetet e fundit dëshmojnë për depërtimin gjithnjë e më të thellë të hungarezëve në tregun e Maqedonisë së Veriut.
Në fakt, mediat hungareze kanë publikuar informacion se që nga viti 2010, volumi i tregtisë është rritur gati tetë herë dhe informacionet e fundit tregojnë se bashkëpunimi do të zgjerohet edhe në aspektin financiar.
Ministrat hungarezë dhe maqedonas kanë nënshkruar një marrëveshje për kredi, e cila është pjesë e një marrëveshjeje për bashkëpunim ekonomik midis dy qeverive. Sipas të dhënave, maqedonasit do të marrin një kredi, të cilën zyrtarët hungarezë e kanë përshkruar si miqësore, me një afat prej 15 vitesh, me një periudhë të favorshme prej tre vitesh dhe me një normë interesi prej 3.25 për qind. Sipas mediave hungareze, bëhet fjalë për një kredi prej 500 milionë eurosh nga Agjencia Hungareze e Kreditit për Eksport.
“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të sigurojë 500 milionë euro për mbështetjen e buxhetit për projekte zhvillimi lokal dhe për mbështetje ekonomike të vendbanimeve. Një pjesë e kredisë do të ofrohet si kredi me normë të favorshme interesi për kompanitë vendase, gjë që mund të kontribuojë në rritjen ekonomike,” kanë deklaruar nga Hungaria.
Për ndikimin hungarez në Maqedoninë e Veriut është shkruar edhe më parë, ndërsa mediat hungareze janë përqendruar veçanërisht në punën e kompanisë së telekomunikacionit 4iG, të cilën shumëkush e lidh pikërisht me Viktor Orbanin.
“Shteti e ndihmoi ngritjen e 4iG jo vetëm me mjete zyrtare dhe rregullatore. Kompania gjithashtu përfitoi nga një numër i madh burimesh shtetërore duke u bërë një nga përfituesit më të mëdhenj të ashtuquajturit Program i obligacioneve të rritjes së Bankës Kombëtare të Hungarisë. Në kuadër të këtij programi, banka qendrore blinte obligacionet e kompanive të ndryshme, duke u bërë kështu kreditor i këtyre kompanive. Sipas vlerësimeve, 4iG përmes programit mori 235 milionë euro fonde shtetërore, çka përbënte një ndihmë të madhe shtetërore,” kishin raportuar më parë mediat.