Miratohet Ligji për Paga por punëtorët nuk e dinë sa do të kenë pagat, reagon Tahiri

Pas miratimit të Ligjit për Paga sot në Kuvendin e Kosovës, ka reaguar shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri duke thënë se as pas miratimit të ligjit, punëtorët e sektorit publik nuk e dinë se sa do t’i kenë pagat.

Ai ka thënë se ky ligj ka lënë në terr informativ të gjitha kategoritë e punëtorëve në sektorin publik.

“Imagjinoni, ligji i pagave që u miratua sot nga mazhoranca e VV-së, i ka lënë në terr informativ të gjitha kategoritë e punëtorëve në sektorin publik, mjekët, profesorët, shërbyesit civil, mësimdhënësit, policët, prokurorët, gjyqtarët, infermierët, zyrtarët në nivel qendror e lokal, të cilët nuk e kanë të qartë se cila është vlera e koeficientit të pagës së tyre, rrjedhimisht, absolutisht të paqartë se sa do të jetë paga e tyre”, ka shkruar Tahiri.

Sipas tij, ky ligj, mund të quhet ligj për pagën e kryeministrit Albin Kurti, ngase askush tjetër nuk e di koeficientin e pagës.“Ky ligj i pagave, lirisht mund të quhet ligji për pagën e Albin Kurtit, sepse askush tjetër përveç tij, nuk e di koeficientin e pagës së vet, ndërsa kryeministri që ia ka rritur pagën vetës, është i vetmi që e di se sa vlen një koeficient dhe se si përkthehet ai në vlerë monetare si pagë. Urime Kryeministër!”, ka shkruar Tahiri.

Kategoritë
LajmeVendi