Dora e djathtë e Donald Trump-it ishte e mavijosur kur u fotografua të hënën gjatë takimit me presidentin francez Emmanuel Macron. Lideri amerikan, i cili muajin e kaluar nisi mandatin e tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë, ende nuk e ka publikuar raportin e tij të plotë mjekësor.
Kjo ka nxitur spekulime në rrjetet sociale lidhur me gjendjen e tij shëndetësore.
NBC raportoi se skuqje ose mavijosje në dorën e djathtë të presidentit amerikan janë vërejtur edhe në gusht dhe nëntor të vitit të kaluar.
Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, pretendon se mavijosjet janë rezultat i shtrëngimit të duarve.
“Presidenti Trump është një njeri i popullit dhe çdo ditë takohet me shumë amerikanë dhe u shtrëngon duart më shumë se çdo president tjetër në histori. Përkushtimi i tij është i palëkundur dhe ai e dëshmon këtë çdo ditë. Presidenti Trump ka mavijosje në dorë sepse punon pandërprerë dhe shtrëngon duar me njerëzit gjatë gjithë ditës, çdo ditë,” tha Leavitt.
Ndërkohë, njerëzit në rrjetet sociale kanë spekuluar për shkaqet e mundshme të mavijosjes.
Në platformën X, një person sugjeroi se Trump mund të përdorë ilaçe për hollimin e gjakut, ndërsa një tjetër shkroi: “Mbase, por njerëzit e moshuar mavijosen më lehtë se të rinjtë. Trump është 78 vjeç. Mund ta ketë marrë në mënyra të panumërta.”
Një përdorues tjetër nuk e besoi shpjegimin e Shtëpisë së Bardhë.
“Pse të gënjejnë fare? Është qartë një mavijosje nga një infuzion ose marrje gjaku. A është surprizë për njerëzit që Trump është i moshuar dhe shkon rregullisht për kontrolle mjekësore?” shkroi ai.
Në një intervistë dhjetorin e kaluar për emisionin “Meet the Press” të NBC News, Trump deklaroi se do të publikonte raportin e tij të plotë mjekësor, por ende nuk e ka bërë këtë.