Mjegulla e dendur në Prishtinë, anulohen disa fluturime nga Aeroporti “Adem Jashari”

Zëdhënësja e Aeroportit “Adem Jashari”, Valentina Gara, njoftoi se më 1 janar janë anuluar 38 fluturime, disa prej të cilave janë devijuar në aeroportet fqinje, ndërsa mëngjesin e sotëm janë anuluar katër fluturime.

Si pasojë e mjegullës që ka mbuluar kryeqytetin e Prishtinës, autoritetet e vendit kanë bërë të ditur se në dy ditët e para të këtij viti janë anuluar disa fluturime në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Siç raportojnë mediat lokale, zëdhënësja e Aeroportit “Adem Jashari”, Valentina Gara, njoftoi se më 1 janar janë anuluar 38 fluturime, disa prej të cilave janë devijuar në aeroportet fqinje, ndërsa mëngjesin e sotëm janë anuluar katër fluturime.

Gara tha se fluturimet janë anuluar si pasojë e mjegullës që ka kapluar kryeqytetin, respektivisht, siç theksoi ajo, “dukshmërisë nën 50 metra”.

Ndërkaq, sipas ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, Aeroporti i Prishtinës është në shërbim gjatë tërë kohës pasi ka të instaluar dhe në funksion sistemin e avancuar të aterimit ‘ILS CAT IIIb’, i cili mundëson “aterime edhe në kushte të mjegullës së dendur deri në dukshmëri minimale prej 50 metrash”.

“Fluturimet me pilotë të certifikuar për përdorimin e këtij sistemi kanë ateruar me sukses, ndërsa ato fluturime pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar”, shkroi Aliu në rrjetet sociale.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi