Teksa forcat izraelite rifillojnë dhe zgjerojnë sulmin në Gaza nga toka, ajri dhe deti, organizata Mjekët pa Kufij (MSF) të mërkurën dënoi koston në rritje mbi civilët palestinezë dhe punonjësit humanitarë, duke deklaruar se enklava është shndërruar në një “varr masiv” për palestinezët.
“Jetët e palestinezëve po shkatërrohen sistematikisht edhe një herë,” thuhet në deklaratën e MSF, duke shtuar se një seri sulmesh vdekjeprurëse nga forcat izraelite gjatë tre javëve të fundit “kanë treguar shpërfillje të plotë për sigurinë e punonjësve humanitarë dhe mjekësorë në Gaza.”
Që nga tetori 2023, Izraeli ka vrarë mbi 51.000 persona në Gaza, një e treta e të cilëve janë fëmijë. Ata rifilluan ofensivën më 18 mars, duke prishur armëpushimin e janarit dhe marrëveshjen për shkëmbim të të burgosurve me Hamasin.
MSF-ja përmendi një sulm të marsit ndaj punonjësve të ndihmës, kur trupat e 15 punonjësve emergjentë dhe ambulancat e tyre u gjetën në një varr masiv më 30 mars në Rafah, në jug të Gazës.
Organizata kërkoi “hetim ndërkombëtar dhe të pavarur” për të vendosur përgjegjësinë për sulmet ndaj punonjësve humanitarë.
“Vrasja e tmerrshme e punonjësve të ndihmës është një shembull tjetër i shpërfilljes totale që tregojnë forcat izraelite ndaj mbrojtjes së punonjësve humanitarë dhe mjekësorë. Heshtja dhe mbështetja e pakushtëzuar e aleatëve më të afërt të Izraelit e inkurajon më tej këtë sjellje,” tha Claire Magone, drejtoreshë e përgjithshme e MSF Francë.
MSF-ja gjithashtu kritikoi dështimin e Sistemit të Njoftimit Humanitar, një mekanizëm që synon të koordinojë lëvizjen e sigurt me forcat izraelite duke thënë se ky sistem tashmë “nuk ofron pothuajse asnjë garanci sigurie.”
“Jemi dëshmitarë në kohë reale të shkatërrimit dhe zhvendosjes së detyruar të të gjithë popullsisë në Gaza,” tha Amande Bazerolle, koordinatore e emergjencave e MSF në Gaza. “Gaza është shndërruar në një varr masiv për palestinezët dhe për ata që përpiqen t’u ndihmojnë.”
“Me mungesën e vendeve të sigurta për palestinezët apo për ata që përpiqen t’i ndihmojnë, reagimi humanitar po përballet me vështirësi ekstreme për shkak të pasigurisë dhe mungesës kritike të furnizimeve, duke i lënë njerëzit me pak, në mos aspak, mundësi për të marrë kujdes.”