Mjekët turq heqin një masë keloidi 5 kilogramëshe nga pacienti nga Uganda

Një pacienti nga Uganda i është hequr një masë keloidi 5 kilogramëshe gjatë një aktiviteti shëndetësor të organizuar nga shoqata Miqtë e të Gjithë Afrikës (TADD), në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Ministrinë e Shëndetësisë të Ugandës, raporton Anadolu.

Një ekip mjekësor vullnetar nga Türkiye, duke përfshirë mjekë, infermierë, teknikë anestezie dhe anëtarë të shoqërisë civile ofroi ekzaminime dhe operacione falas për qindra ugandas gjatë 11 ditëve.

Grupi prej 18 anëtarësh i specialistëve të kirurgjisë së përgjithshme, urologjisë, gjinekologjisë dhe kirurgjisë plastike ekzaminuan afërsisht 1.500 individë dhe kryen afër 100 operacione.

Mes pacientëve ishte edhe 39-vjeçari Muhammed Ramazan, të cilit mjekët i hoqën rritjen masive të keloidit që peshonte rreth 5 kilogramë.

– Rasti i jashtëzakonshëm i keloidit masiv

Zv/dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin Necmettin Erbakan në Konya dhe ekspert i kirurgjisë plastike dhe ri-konstruktive, Prof. Dr. Mehmet Dadacı, e përshkroi rastin e keloidit si më të madhin që kishte parë ndonjëherë.

“Ne hasëm në një keloid të një madhësie që nuk e kam parë kurrë në jetën time”, tha Dadacı, duke njoftuar se keloidi ishte 20 centimetra i gjatë dhe shtrihej nga qafa e pacientit deri në zonën pas veshëve të tij.

Pavarësisht preferencës së zakonshme për trajtimin jo-kirurgjikal të keloideve, ekipi me sukses preu zhvillimin e keloidit, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës së pacientit.

Keloidet ndodhin kur mekanizmi shërues i trupit vazhdon të prodhojë inde shumë kohë pasi një plagë është shëruar. Dadacı theksoi se raste të tilla janë veçanërisht të zakonshme në mesin e individëve me origjinë afrikane.

“Pacienti kishte jetuar me masën për 7-8 vite në kushte të vështira, por tani është çliruar prej saj”, tha ai.

– Kirurgji që ndryshon jetën

Përfaqësuesi i shoqatës TADD në Ankara, Cüneyt Tiryaki, nga ana e tij, foli për rëndësinë më të gjerë të operacionit.

“Ky operacion jo vetëm që përmirësoi shëndetin e pacientit, por përmirësoi edhe jetën e tij familjare, jetën e punës dhe integrimin social”, tha Tiryaki.

Ai theksoi se pa ndërhyrje, pacienti do të përballej me vështirësi gjatë gjithë jetës për shkak të kufizimeve financiare dhe mungesës së personelit mjekësor në Ugandë.

“Ne besojmë se ky operacion ka pasur një ndikim të qartë para dhe pas. Ne jemi krenarë që kemi qenë pjesë e një përpjekjeje kaq domethënëse”, shtoi Tiryaki.

Pacienti u lirua pas procedurës së suksesshme.

Kategoritë
BotaLajme