Ndërsa dimri po afron, mjeku i përgjithshëm i NHS, Dr. Dave Nichols, theksoi rëndësinë e ruajtjes së një shëndeti të mirë për të shmangur sëmundjet sezonale. Duke u përqendruar në kujdesin parandalues në vend të trajtimit, Dr. Nichols nënvizoi rolin e disa vitaminave dhe mineraleve në mbështetjen e sistemit imunitar.
Ai veçanërisht theksoi funksionin e rëndësishëm të vitaminës D:
“Vitamina D ka një rol të rëndësishëm në funksionimin e sistemit tonë imunitar në luftën kundër sëmundjeve. Mungesa e kësaj vitamine mund të rrisë mundësinë e ftohjes, të zgjasë shërimin ose të çojë në infeksione të shpeshta respiratore.”
Një tjetër vitaminë që rekomandohet për të mbajtur në nivele të duhura është vitamina B12:
“Nivelet e ulëta të hekurit, folatit dhe vitaminës B12 mund të shkaktojnë që njerëzit të ndihen të lodhur ose të kenë më pak energji se zakonisht, dhe në disa raste mund të çojnë në anemi, duke i bërë këto simptoma më serioze.”
Dr. Nichols theksoi për Mirror se nuk është e nevojshme të kemi një kabinet plot me ilaçe për të shmangur problemet e dimrit dhe këshilloi që një dietë e balancuar dhe zakone të zgjuara jetese mund të plotësojnë nevojat tona ushqimore. Ai shpjegoi:“Konsumoni të paktën pesë porcione fruta dhe perime në ditë për të siguruar marrjen e mjaftueshme të vitaminave kryesore, përfshirë vitaminat A, C dhe D, ndërsa rrisni marrjen e acideve yndyrore omega-3.”
Ai shtoi:“Ushqimet e pasura me proteina janë gjithashtu të rëndësishme për rigjenerimin e qelizave dhe muskujve, gjë që është e dobishme nëse ndiheni të sëmurë. Studime të fundit sugjerojnë se probiotikët mund të jenë të dobishëm në parandalimin e infeksioneve respiratore, ndërsa është treguar se suplementet me zink gjithashtu mund të jenë efektive.”
Në përfundim, mjeku bëri thirrje për njohjen e shenjave të mungesës së vitaminave, të cilat përfshijnë rënien e flokëve dhe ndryshimet në lëkurë si shfaqja e ekzemës:“Studimet e fundit gjithashtu tregojnë për një lidhje të mundshme me çrregullimet e humorit, si depresioni ose ankthi.”