Moldavia në emergjencë, i vjen në ndihmë Gjermania

Moldavia, një shtet në kufi me Ukrainën, do të marrë këtë të martë grupin e parë të automjeteve të blinduara të modelit Piranha, të furnizuara nga Gjermania, në kuadër të një marrëveshjeje mes dy vendeve të nënshkruar në vitin 2021.

Moldavia, e cila është në gjendje të jashtëzakonshme që nga 24 shkurti 2022, ditë kur Rusia pushtoi Ukrainën, e zgjati situatën e emergjencës me 60 ditë, në 6 dhjetor të vitit të kaluar.

Siç njofton Ministria e Mbrojtjes e Moldavisë, ky furnizim me mjete të blinduara ka për qëllim “përmirësimin e aftësive të Ushtrisë Kombëtare”, aq më tepër në një kohë kur vendi është në gjendje të jashtëzakonshme. Veç kësaj, mjetet e blinduara do të përdoren gjithashtu si pjesë e procesit të trajnimit për ushtrinë që do të vendoset për misionet paqeruajtëse ndërkombëtare, siç detajohet nga kjo ministri.

Piranha-t janë automjete të blinduara të prodhuara nga kompania zvicerane Mowag, e njohur gjithashtu si Dynamics European Land System, një kompani e dedikuar për prodhimin e automjeteve ushtarake. Sipas faqes së internetit të prodhuesit, ka rreth 11 000 Piranha të shpërndara nëpër botë, “në të gjitha kontinentet”, dhe ato kanë mbrojtje kundër minave antitank shpërthyes, granatave dhe predhave të artilerisë.

Kreu i Shërbimit moldav të Informacionit dhe Sigurisë (SIS), Alexandru Musteata, paralajmëroi më 19 dhjetor se Rusia mund të sulmojë territorin moldav në fillim të vitit 2023, në varësi të situatës së ofensivës në Ukrainë.

“Çështja nuk është nëse Rusia do të nisë një ofensivë të re në drejtim të territorit moldav, por kur do të ndodhë kjo”, shpjegoi Musteata në një deklaratë për TVR Moldavia.

Kategoritë
BotaLajme