Gjatë seancës së sotme deputetët e LVV kanë bllokuar pjesëmarrjen e Listës Serbe në punimet e Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Listës Serbe morën pjesë për herë të parë pas një bojkoti të gjatë.
Prania e tyre shkaktoi reagime të forta nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili i quajti të turpshëm veprimet e tyre.
Lidhur me këtë, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se konflikti me Listen Serbe, ishte inskenim i dobët.
”Konflikti me Listen Serbe sot ishte një inskenim i dobët. Ndërkohë që s’kanë përgjigje për teatrin në grevë, kanë zgjedhur t’bëjnë shfaqje e filma vet. Konjufca e bëri sot një simulim elektoral. Ka 18 muaj që deputetët e Listës Serbe nuk janë Kuvend. Ata thjesht janë nënshkruar çdo 6 muaj për t’i marrë pagat. Por Glauku na u paska aktivizu vetëm sot, 2 muaj para zgjedhjeve”, ka shkruar Molliqaj.
“Patriot me bateria”, – kjo është shprehja popullore për atë që me fjalë hiqet si trim me fletë, ka shtuar më tutje ai.