Momenti i turpshëm nga tifozët e Vëllaznimit, fishkëllejnë himnin e Kosovës

Ndeshje jashtëzakonisht interesante u zhvillua të dielën ndërmjet Vëllaznimit dhe Trepçës në palestrën sportive ‘Shani Nushi’ në Gjakovë. Mirëpo, një moment i turpshëm kishte ndodhur para fillimit të takimit kur tifozët vendas fishkëlluan himnin e Republikës së Kosovës, transmeton Gazeta Metro.

Tifozët e Vëllaznimit të njohur me emrin e tyre ‘Kuqezinjët e Jakovës’ para se të fillojë ndeshja në momentin kur po intonohej himni i Kosovës vendosën të bëjnë gjest të turpshëm duke e fishkëlluar atë.

Dhe, derisa po intonohej himni i vendit tonë ata filluan të këndojnë himnin e ‘Flamurit’.

KZJ’ para disa vitesh në debatin e ‘madh’ se cilat tifogrupe do të anojnë nga Kombëtarja e Kosovës e cilat jo, kishin pasur qëndrim të prerë se nuk do ta përkrahin në mënyrë të organizuar Kosovën.

Ndryshe, ndeshja përfundoi me rezultat 75-72 në të mirë të klubit nga Gjakova që arriti fitoren e tretë këtë edicion në Superligën e Kosovës në basketboll.

Merita të mëdha për këtë triumf duhet theksuar se pati basketbollisti, Burim Zekiqi me 19 pikë dhe pesë kërcime. Ai u zgjedh gjithashtu MVP i javës së shtatë.

Momentin kur tifozët e Vëllaznimit fishkëllejnë himnin e Kosovës e gjeni prej minutës 1:47. /gazetametro.net

Kategoritë
LajmeVendi