Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar babanë e tij të sëmurë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi mori një leje të përkohshme nga Gjykata Speciale në Hagë.
Babai i Thaçit po trajtohet prej kohësh në këtë institucion shëndetësor.
Pas disa orësh qëndrimi, Thaçi është parë duke dalë nga Klinika Interne e QKUK-së.
Teksa zbriste shkallët, ai u ndal për të biseduar shkurt me një mjek, i cili e shoqëroi deri në fund të shkallëve.
Në një moment, pjesëtari i sigurimit të Gjykatës Speciale e paralajmëroi mjekun, duke i bërë me shenjë se rregullat e Speciales nuk lejojnë përqafime apo kontakte të tilla.
Më herët, Thaçi kishte bërë disa kërkesa pranë Dhomave të Specializuara për të vizituar babanë e tij të sëmurë, por ato ishin refuzuar deri më tani.