Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Për këtë ka reaguar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në një postim në Facebook, Vuçiq ka drejtuar akuza ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke pretenduar se ky vendim është një përpjekje për të eliminuar kundërshtarët politikë të qeverisë aktuale.
“Albin Kurti po tenton të eliminojë kundërshtarin e vetëm politik në Kosovë, që është Lista Serbe,” ka shkruar Vuçiq.
Lista Serbe nuk arriti të certifikohet gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së, për shkak të thirrjeve nacionaliste të kryetarit të saj, Zlatan Elek, të bëra gjatë prezantimit të listës zgjedhore.
Në votimin e KQZ-së pati dy vota pro dhe dy kundër, ndërsa disa anëtarë refuzuan të marrin pjesë në proces.
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, kundërshtoi certifikimin e Listës Serbe, duke publikuar një audio-incizim ku dëgjohej kryetari i kësaj liste me deklarata kundër Republikës së Kosovës.