Më herët, shefja e Komisionit Evropian tha se BE-ja dhe partnerët e saj “do të sigurohen që Rusia të paguajë për shkatërrimin që shkaktoi, me fondet e ngrira të oligarkëve dhe asetet e bankës së saj qendrore”
Moska do të marrë “masa adekuate” nëse Bashkimi Evropian (BE) konfiskon asetet shtetërore dhe private ruse, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova, pasi shefja e bllokut, Ursula von der Leyen, propozoi një plan për të kompensuar Ukrainën për rindërtimin e saj, raporton Anadolu Agency (AA).
“Edhe një herë paralajmërojmë se nëse bëhet fjalë për konfiskimin real të pronës së Federatës Ruse dhe qytetarëve rusë, ndërmarrjeve, rezervave shtetërore të vendit tonë, atëherë masa adekuate do të pasojnë pashmangshmërisht nga pala ruse”, tha Zakharova në një konferencë për shtyp në Moskë.
Më herët gjatë ditës, Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, tha se BE-ja dhe partnerët e saj “do të sigurohen që Rusia të paguajë për shkatërrimin që shkaktoi, me fondet e ngrira të oligarkëve dhe asetet e bankës së saj qendrore”.
Von der Leyen tha se blloku tashmë ka bllokuar 300 miliardë euro të rezervave të Bankës Qendrore Ruse dhe ka ngrirë 19 miliardë euro nga paratë e oligarkëve rusë.
Ajo tha se fondet duhet të përdoren si “kompensim i plotë ndaj Ukrainës” për dëmin e shkaktuar nga “operacioni ushtarak special” i Rusisë që filloi në shkurt.
“Ne do të punojmë për një marrëveshje ndërkombëtare me partnerët tanë për ta bërë të mundur këtë”, tha ajo.