Mosparaqitja e Kurtit për intervistim, Tahiri: Mesazh i keq për qytetarët, kryeministri tejkaloi organin e akuzës

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka folur për mosparaqitjen e Kryeministrit Albin Kurti sot në Prokurorinë Speciale për intervistim, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Tahiri i PDK-së ka thënë se ky është një mesazh i keq për qytetarët se si Kryeministri e tejkalon organin e akuzës.

“Në radhë të parë është mesazh i keq për qytetarët se si e tejkalon kryeministri organin e akuzës dhe siç e dini që në bazë të Kushtetutës, pushtetet janë të ndara. Organi i akuzës është ai që ndalon keqpërdorimet dhe korrupsionin dhe me këtë rast organi i akuzës ka diçka për të sqaruar. Mendoj që është mesazh i keq ajo se çfarë u pa sot”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot nuk u paraqit për intervistim si dëshmitar pranë Prokurorisë Speciale të Kosovës. Siç bëri të ditur PSRK-ja, Kurti e kishte të pamundur paraqitjen për shkak se ndodhej jashtë vendit, dhe do të bëhet një ftesë tjetër ndaj tij.

Në anën tjetër, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu tha për Gazetën Online Reporteri.net se Kurti është shprehur i gatshëm që prokurorët e rastit t’i pres në zyrën e tij për të dhënë dëshminë, në një ditë dhe orar të dakorduar nga të dyja palët.

“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyren e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, thuhej në përgjigjen e Qeverisë për Reporteri.net.

Sipas numrit të lëndës në dokumentin e thirrjes nga Prokuroria Speciale të publikuar nga zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu të enjten e kaluar, Kurti i ftuar në cilësinë e dëshmitarit, do të intervisohet për skandalin me Rezervat Shtetërore dhe se vepra penale për të cilën është ftuar hynë tek ato të korrupsionit zyrtar, saktësisht Neni 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

/Reporteri.net/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi