Mot jostabil këtë javë, kur pritet përmirësim i motit?

Kjo javë karakterizohet nga vranësira të shumta dhe reshje lokale shiu. Temperaturat kanë shënuar ulje të ndjeshme pas ngritjes së tyre në fundjavën që lamë pas.

Sisteme të shumta ciklonike nga Atlantiku përmes Evropës veriperëndimore do të zhvendosen në Itali duke mbajtur kushtet sinoptike mjaft të paqëndrueshme në rajonin tonë. Po ashtu masa të ftohta ajrore për këtë periudhë kohore do mbajnë temperaturat nën vlerat mesatare. Priten reshje të shpeshta shiu në kohë dhe sasi të ndryshme, por priten edhe intervale kohore pa reshje fare.

Të mërkurën reshje më të shumta shiu priten në Shqipëri, ndërsa në Kosovë herë pas here priten edhe intervale pa reshje. Temperaturat pa ndonjë ndryshim.

Të enjten një ciklon i fuqishëm zhvillohet në Adriatikun verior duke sjell reshje të dendura shiu në Itali dhe Ballkan.

Sistemet e vranësirave nga ky ciklon do të përfshijnë edhe viset tona dhe do të kushtëzojnë reshje të herëpashershme shiu. Reshje të fuqishme dhe intensive priten në Mal të Zi, ndërsa në Shqipëri dhe Kosovë priten reshje kryesisht të lehta dhe mesatare. Në Maqedoni reshje të pakta me përjashtim të viseve perëndimore. E enjtja njëkohësisht do të jetë dita në e ftohtë.

Nga e premtja rritje kryesisht të lehta të temperaturave, megjithatë masat ciklonike do të jenë ende mjaft aktive. Përpos intervale kohore me diell priten reshje të herëpashershme shiu, me gjasa edhe për rrebeshe lokale me vetëtima dhe bubullimë.

Edhe fundjava sjellë vranësira të shpeshta, mundësi për intervale kohore me diell dhe reshje të herëpashershme shiu në tërë rajonin. Temperaturat maksimale në Kosovë rreth 20 ose pak nën 20 gradë Celsius, ndërsa në Shqipëri mbi 20 gradë Celsius.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme