Në sipërfaqe, ishte një sulm ushtarak ndaj Ukrainës. Por, lëshimi nga Rusia i asaj që presidenti Vladimir Putin e përshkroi si raketë të re me rreze të mesme veprimi kishte të bënte me dërgim të një mesazhi, që shumica e sinjaleve thonë se kryesisht iu drejtua Uashingtonit dhe Perëndimit.
Në një adresim televiziv më 21 nëntor pas sulmit që shënjestroi qytetin e Dnipros, Putin tha se sulmi ishte pjesë e përgjigjes së Moskës ndaj sulmeve ukrainase me raketat amerikane, ATACMS dhe atyre britanike, Storm Shadow, pas raportimeve se këto vende i kanë dhënë leje Kievit që të përdorë këto sisteme për të goditur territorin rus. Putin shtoi se Rusia ka të drejtë të shënjestrojë caqet ushtarake në shtetet që i kanë lejuar Kievit të përdorë armët e tyre për sulmet brenda Rusisë.
“Thënë shkurt, ky ishte një sulm politik, e jo ushtarak”, shkroi në X, Mick Ryan, gjeneral në pension i ushtrisë australiane, i cili tani është hulumtues i lartë në institutin Lowy me seli në Sidnej.
Sulmi me raketën balistike ishte pjesë e një sulmi më të gjerë ndaj Dnipros, ku autoritetet ukrainase thanë se tre persona u plagosën. Ata thanë se sulmi dëmtoi një objekt industrial dhe një qendër rehabilitimi për personat me aftësi të kufizuara, ku sipas fotografive kishte dritare të thyera, tavan të shembur dhe mbeturina të shpërndara nëpër dysheme.
Fabian Hoffman, ekspert i mbrojtjes dhe hulumtues në Universitetin e Oslos, tha për Kyiv Independent se “ky sulm nuk ka vlerë ushtarake, është krejtësisht për qëllime politike”.
Në këtë artikull mund të mësoni se çfarë Putini tentoi të arrinte me këtë sulm:
“Zhvlerësim i kërcënimeve”
Që kur Putini urdhëroi nisjen e pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, ai dhe zyrtarët e tjerë rusë – dhe mediat e kontrolluar nga shteti – vazhdimisht kanë bërë kërcënime për kryerjen e mundshme të një sulmi bërthamor, në përpjekje për të trembur Perëndimin dhe për të frenuar SHBA-në dhe Evropën që t’i dërgojnë armë Kievit.
Në fakt, ky kërcënim bërthamor ka qenë aq i shpeshtë, saqë Rusia mund të jetë duke e humbur ndikimin e kërcënimeve të saj: Kremlini mund të jetë i shqetësuar se kjo shihet si lejim të shkeljes së “vijave të kuqe” pa pasur pasoja.
Putin “mund ta perceptojë se përmendja që i bën armëve bërthamore, duke qenë se i ka përmendur aq shpesh, ka ulur vlerën për të përçuar mesazhin e tij se ai e sheh si ndërhyrje të NATO-s në luftën e tij gjenocidale”, shkroi Ryan. “Ai kishte nevojë për një sinjal tjetër për Uashingtonin dhe e zgjodhi ta bëjë këtë me një armë tjetër”.
Putin shpesh e ka ngritur mundësinë e një sulmi bërthamor shumë kohë para nisjes së pushtimit të Ukrainës. Por, ka shumë arsye për Rusinë që të shmangë përdorimin e arsenalit të saj bërthamor, duke përfshirë pikëpyetjen mbi efektivitetin e tij kundër Ukrainës dhe pasojat me të cilat mund të përballet Moska nga shtetet e botës, përfshirë nga Kina, India dhe shtetet e Jugut Global.
Pa “ndryshim të madh”
Megjithatë, kërcënimet bërthamore nuk munguan: Në adresimin e tij, Putin tha se raketa – që ai e quajti Orshenik dhe Petagoni tha se është bazuar në modelin ekzistues RS-26 apo në atë Rubezh – “kësaj radhe” kishte një ngarkesë jobërthamore.
“Është një lloj sinjalizimi që ju angazhoheni kur nuk mundeni të përshkallëzoni situatën në atë mënyrë që keni kërcënuar se do ta përshkallëzoni”, shkroi më 21 nëntor, Ruth Deyermond, ligjërues në Departamentin e Studimeve të Luftës në Kolegjin Mbretëror të Londrës.
Sikurse fjalët dhe veprimet e mëhershme, përfshirë paralajmërimin gjatë këtij muaji për një ndryshim në doktrinën bërthamore ruse që duket se synojnë t’i japin Putinit lirinë për të përdorur armët bërthamore nëse ai vendos t’i përdor atë, edhe sulmi i fundit tha pak për qëllimet aktuale të Rusisë.
“Si sulmi me raketën balistike Orshenik, ashtu edhe deklarata e Putinit më 21 nëntor, nuk paraqesin një ndryshim të madh në aftësitë sulmuese ruse apo në mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore”, shkroi në X, Instituti për Studim të Luftës, me seli në Uashington.
Biden, Trump, Ukraina dhe Evropa
Me presidentin amerikan, Joe Biden, që do të qëndrojë në Shtëpinë e Bardhë më pak se dy muaj, para se presidenti i zgjedhur Donald Trump të marrë presidencën, Putin mund të shpresojë që “testimi i raketës”, siç tha ai, mund të bëjë një udhë e dy punë: të paralajmërojë Bidenin kundër lëvizjeve të mëdha drejt forcimit të Kievit dhe të inkurajojë Trumpin – pretendimet e vazhdueshme të të cilit se do t’i japë shpejt fund luftës kanë ngjallur shpresa për një përpjekje për paqe – dhe që SHBA-ja të frenojë mbështetjen për Ukrainën.
Teksa SHBA-ja mund të jetë caku kryesor i mesazhit të Rusisë, sulmi mund të ketë pasur për synim që të ndjellë frikë në Evropë dhe të rrisë shqetësimin në kontinent në kohën kur administrata e re e Trumpit ka rritur pikëpyetjet jo vetëm për nivelin e mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën, por edhe për raportet e saj me NATO-m dhe solidaritetin me Bashkimin Evropian.
Putin “nuk po i dërgon mesazh vetëm Uashingtonit. Ai e ka përdorur një armë që ka rreze veprimi mbi 5.000 kilometra, e cila mund të përdoret ndaj çdo caku në Evropë dhe Mbretëri të Bashkuar”, shkroi Ryan. “Ky është mesazh për Evropën, jo vetëm për mbështetjen e saj për Ukrainën, por po ashtu për kapacitetin e Rusisë dhe vullnetin që të ndikojë te politikat që janë të lidhura me mbrojtjen dhe sigurinë shumë përtej Ukrainës”.