Motrat me ngjyra të ndryshme të syve, një fenomen i rrallë dhe magjepsës

11-vjeçarja Eylül ka një sy të kaltër dhe tjetrin të zi, ndërsa motra e saj 8-vjeçare Narin ka një sy të kaltër dhe syrin tjetër me ngjyra të përziera, gjysmë zi e gjysmë kaltër.

Dy motra në qytetin Hakkari të Türkiyes, njëra 11-vjeç dhe tjetra 8-vjeç, tërheqin vëmendjen me ngjyrat e ndryshme të syve, të njohura në mjekësi si “heterokromi”, raporton Anadolu.

Çifti Neçirvan dhe Medina Berk, që jetojnë në fshatin Çiğlı, kanë pesë fëmijë, por vajza e tyre 11-vjeçare Eylül dhe vajza 8-vjeçare Narin kanë lindur me ngjyra të ndryshme të syve.

11-vjeçarja Eylül ka një sy të kaltër dhe tjetrin të zi, ndërsa motra e saj 8-vjeçare Narin ka një sy të kaltër dhe syrin tjetër me ngjyra të përziera, gjysmë zi e gjysmë kaltër.

Ky fenomen i rrallë i dy motrave me ngjyra të ndryshme të syve magjepsin njerëzit që i shohin ata.

– Tipar i familjes

Babai Neçirvan Berk për Anadolu tha se ky fenomen i syve me ngjyra të ndryshme të dy vajzave të tij është një tipar i familjes, pasi siç tha ai, edhe motra e tij ka një sy të zi dhe tjetrin të kaltër.

“Sytë e mi janë gjysmë të kaltër dhe gjysmë të zi, por nuk bien shumë në sy. Sytë e dy vajzave të mia janë të kaltër dhe të zi. Sytë e dy mbesave të mia janë gjithashtu të tillë. Sytë e vëllait tim janë një i zi dhe tjetri i kaltër. Vajzat e mia nuk kanë probleme me shikimin, por të dyja kanë pak problem me njërin nga veshët”, shpjegoi babai i vajzave.

Ai tha se vajzat i ka dërguar te mjeku për veshët shumë herë, por nuk është zbuluar se çfarë kanë. Eylül ka humbje dëgjimi në veshin e saj të majtë dhe Narin ka humbje dëgjimi në veshin e saj të djathtë.

“Të tërheq vëmendjen fakti se fëmijët e mi kanë sy të ndryshëm. Shumë njerëz vijnë dhe bëjnë foto. Shumica e njerëzve që i shohin duan të bëjnë foto”, u shpreh Neçirvan.

Vajza e tij Eylül tha se sytë e saj kanë një ngjyrë ndryshe nga lindja.

“Ne nuk kemi probleme me shikimin. Kemi vetëm një problem të vogël dëgjimi. Do të ishte mirë nëse do të kishim marrë trajtim. Njerëzit që na shohin në shkollë ose jashtë janë shumë të befasuar dhe duan të bëjnë foto. Ne i duam sytë tanë. Është një dhuratë nga Zoti”, u shpreh Eylül.

Kategoritë
BotaLajme