“Mourinho nuk më la kurrë të stërvitem me ekipin e parë”, shokon Schweinsteiger: Fillimisht mendova se ishte një shaka

Ishte padyshim një nga blerjet më surprizuese në verën e vitit 2015, me ish-“yllin” e mesfushës, Bastian Schweinsteiger, i cili la “Bavarezët” e Bayern Munich, për të kaluar në Premier League, e më konkretisht te “Djajtë e Kuq”, të Manchester United, aty ku me insistim të madh e kërkonte teknikut portugez, Jose Mourinho.

Ish-kampioni i botës, me Gjermaninë ka dhënë së fundmi një intervistë ku ka folur për marrëdhënien e tij me “Special One”, nga koha kur ishte te Manchester United, teksa zbuloi se tekniku “luzitan”, nuk e kishte lejuar që të stërvitej me ekipin e parë vetëm sepse kishte shkuar për t’u mjekuar në Gjermani pas një dëmtimi që kishte pasur.

“Kur unë mbërrita në Manchester United, u stërvita me Zlatan Ibrahimovic në ditën e parë, aty prezent ishte menaxheri John Murtough dhe më tha: “nuk të lejojnë në dhomën e zhveshjes dhe as të stërvitesh me skuadrën e parë”. E pyeta pse dhe më tha se e kishte imponuar trajneri, padyshim që edhe për të nuk ishte aq e lehtë. Kështu që shkova në një dhomë tjetër zhveshjeje dhe u zhvesha atje. Gjithashtu i kërkova të më sillte pajisjet dhe këpucët e mia dhe më pas e pyeta se me kë do të stërvitesha dhe ai u përgjigj: “Ne i kemi rezervat…” Dhe unë u stërvita me skuadrën e nën 16-vjeçarëve.

E pyeta nëse mund të flisja me Mourinho pasdite. Madje mendova se ishte një shaka. Pastaj pata një takim me Mourinho pasdite dhe ai më shpjegoi se nuk më shihte të lumtur te Manchester United, sepse kur u lëndova, shkova të shërohem me mjekët gjermanë dhe kalova kohë në vendin tim. Ishte diçka që bëra për të përmirësuar gjendjen time fizike. Pastaj fillova të stërvitem vetëm për tre muaj. Mourinho nuk më la kurrë të stërvitem me ekipin e parë, as që i pashë. Më duhej të stërvitesha para ose pas seancës së tyre, isha shumë i trishtuar, dhashë gjithçka për klubin, jo vetëm për Mourinhon”,- deklaroi Schweinsteiger.

Kategoritë
Sport