MPB tregon se për 24 orë kanë ndodhur tri incidente në veri të lidhura me targat RKS

Ministria e Punëve të Brendshme tha se gjatë 24 orëve të fundit në veri të Kosovës janë regjistruar tri raste të djegës së veturave apo pronës së qytetarëve që kanë konvertuar targat e tyre nga ato që lëshohen nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi, tha se Serbia dhe strukturat “ilegale” në veri, po tentojnë të frikësojnë qytetarët, që po i konvertojnë targat.

Në Zveçan, një qytetarit serb, sipas MPB-së, iu dogj një depo, pasi ai kishte riregjistruar veturën e djalit të tij, dhe po ashtu një banori në komunat në veri, pas riregjistrimit të veturës, mbrëmë iu dogj vetura.

Kjo ministri fajësoi “grupet ilegale ekstremiste” për këto incidente, pa specifikuar se për cilat grupe bëhet fjalë.

“Këto grupe ilegale ekstremiste tashmë nuk kufizohen vetëm në shkelje të sovranitetit në veri, por ata shtypin qytetarët dhe vullnetin e tyre dhe kjo është bërë pengesë për jetën e përditshme të qytetarëve tanë atje, të cilët çfarëdo pajtueshmërie të qytetarëve për t’u legalizuar në jetën e përditshme i përgjigjen me presione, kërcënime, dhunë dhe sulme”, tha Fetoshi nga MPB.

Për djegiet e pronave të serbëve që po i riregjistrojnë makinat e tyre, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, fajin ua ka lënë “strukturave ilegale”.

“Ka një kohë të gjatë që qytetarëve serbë që po respektojnë dhe zbatojnë ligjet, që po i ndërrojnë targat, si rezultat i kësaj po u digjen shtëpitë dhe makinat. Të gjitha këto veprime të strukturave ilegale dëshmojnë se kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit”, tha Osmani.

Qeveria e Kosovës ka thënë se pas 31 tetorit këto makina nuk do të mund të qarkullojnë e as të kalojnë kufirin. Por, nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – dhe nga Serbia më 27 tetor kanë paralajmëruar për barrikada nëse Kosova konfiskon makinat apo targat e serbëve.

Kategoritë
LajmeVendi