Muja për çështjen e Trustit: Më është ofenduar dhe kërcënuar familja nga përkrahësit e kësaj nisme

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka shqyrtuar në parim Projektligjin për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga Trusti pensional, pasi kjo çështje i riaktualizua me kërkesë të qytetarëve të cilët përmes peticioneve kishin kërkuar që ky Projektligj të sillet sërish në Kuvend.

Për ta prezantuar këtë nismë, ishte njëri prej organizatorëve Adnan Jashari.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, tha se mos procedim i këtij projektligji është neglizhencë e kryetarit të Komisionit, Armend Muja.

Ia ka kërkuar që të lihen anash inatet politike dhe i njëjti të votohet, shkruan EO.

“Unë besoj se është proces i vonuar që 21 mijë qytetarë që e kanë kërkuar dhe kanë pyetur se kur do të sillet në Kuvend dhe kjo është neglizhencë e vetë kryetarit (Armend Muja), dhe e Kuvendit. Është mirë të largohen inatet politike dhe mendoj se i njëjti duhet të votohet. Besoj se është nismë e drejtë dhe secili deputet besoj se është mirë ta votojë”, tha Lushtaku.

E deputeti tjetër i PDK-së, Bekim Haxhiu foli në cilësinë e të autorizuarit nga organizatorët e peticionit.

“Për pak ditë mbi 21 mijë qytetarë kanë kërkuar që ky Projektligj të sillet në Kuvend. Ky projektligj plotëson kushtet formale dhe juridike për ta trajtuar ky Komision. Saktësohet qëllimi që iu mundësohet tërheqja nga 10 deri në 30 për qind”, tha Haxhiu duke thënë se kriza financiare ka bërë që kjo temë të ri aktualizohet sërish.

“Propozohet që personat që kanë deri në 10 mijë euro t’i tërheqin deri në 30 për qind, ndërsa ata që kanë nga 10 mijë deri në 20 mijë të tërheqin 25 për qind. Kurse ata që kanë më shumë se 30 mijë euro t’i tërheqin deri në 10 për qind”, tha Haxhiu.

Për kosto shtesë të buxhetit, pyeti Armend Muja i VV-së. Por deputeti Haxhiu tha se nuk ka kosto shtesë ky Projektligj.

“Nuk ka kosto shtesë për buxhetin e shtetit por që me këtë do të ndikojë pozitivisht në buxhet sepse tërheqja e tyre do të paguhen TVSh dhe se ato mjete supozohet t’i shpenzojnë brenda vendit. Ky ligj ka kaluar të gjitha proceduat e nevojshme dhe ka një prolongim brenda administratës së Kuvendit dhe besoj se nuk duhet të vonohet më shumë”, tha Haxhiu.

Muja, hodhi akuza ndaj Adnan Jasharit si organizator i kësaj nisme. Ai tha se nga faqja në rrjetet sociale është kërcënuar ofenduar ai dhe familja e tij.

“Brenda atij grupi ju bëni thirrje për ta votuar dhe në drejtim timin dhe të familjes sime vijnë çdo ditë ofendime. Pse është e nevojshme që të kërcënoni dhe të ofendoni familjet”, tha ai.

Kategoritë
LajmeVendi