Oda e Farmacistëve të Kosovës, ka shprehur shqetësimin lidhur me mungesën e barnave esenciale në sektorin publik dhe privat.
OFK përmes një ftese publike drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, ka kërkuar nga kjo e fundit që të reflektoj mbi ruajtjen e shëndetit publik të qytetarëve.
“Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK) shpreh shqetësimin e thellë lidhur me mungesën e barnave, përfshirë ato esenciale në sektorin publik dhe private, që ka shkaktuar krizë në sistemin shëndetësor dhe po cenon shërbimin cilësor shëndetësorë të qytetarëve , krizë kjo që ka lindur si pasojë e vendimi të Ministrit të Shëndetësisë për çmimin e barnave”, thuhet në njoftimin e OFK-së.
Oda e Farmacistëve thekson se është duke pasur vazhdimisht presion nga anëtarët e saj dhe qytetarët për problemet që po hasen në mungesës të barnave esenciale, të cilat janë jetike për shëndetin e pacientëve dhe për funksionimin normal të sistemit shëndetësor.
“OFK me kohë ka paralajmëruar Ministrin e Shëndetësisë shumë para nxjerrjes së vendimit se një metodë e tillë e punës do të shkaktojë këtë kaos në tregun farmaceutik duke cenuar edhe sigurinë e qytetarëve tanë. OFK konsideron se këto vetëm janë rezultatet e para të kësaj krize e cila vetëm sa do të vij e përkeqësohet”, thuhet më tej në njoftim.

Oda e Farmacistëve të Kosovës i ka bërë thirrje urgjente Ministrisë së Shëndetësisë që pas refuzimeve të përsëritura të ftesave të tyre për bashkëpunim, të vendosë interesin publik mbi interesat personale dhe të reflektojë për këtë situatë të rëndë.
“OFK fton Ministrin e Shëndetësisë për hir të shëndetit të qytetarëve dhe për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës që të pezullojë menjëherë vendimin në fjalë në mënyrë që të zgjidhen këto probleme të cilat tashmë veç se janë hasur si pasojë e këtij vendimi duke siguruar kështu furnizimi të vazhdueshëm të tregut dhe qytetarëve me barna esenciale
OFK si çdo herë siç ka shfaqur gatishmërinë e saj tash e 1 vit, është në gatishmëri 24 orësh për ofrimin e zgjidhjeve MSH-së për eliminimin e këtyre problematikave profesionale”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/