Nga një shkurti hyri në fuqi vendimi për unifikim të çmimit të barnave, megjithatë qytetarët po konsiderojnë se vendimi nuk po zbatohet, pasi po hasin në çmime të ndryshme për barna të njëjta.
E lista zyrtare e çmimit të barnave e miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, e cila hyri në fuqi në fillim të këtij muaji, po kundërshtohet nga Oda e Farmacistëve të Kosovës si dhe Shoqata e Distributorëve Farmaceutik dhe Medicinal të Kosovës.
Sipas tyre, një vendim i tillë do të shkaktojë krizë farmaceutike në vend, për çka thanë se veçse ka filluar të ndihet.
Baki Gashi nga rrethina e Prishtinës, thotë se ka blerë barna me çmime të ndryshme.
“Më ka rënë me ble barna, por barnat prapë janë njëjtë, vendimi është marrë, por me u zbatuar nuk po zbatohet…Nuk po zbatohet kam informata të sakta që nuk po zbatohet…shoqja të njëjtat barna që i ka blerë në Hajvali, në Prishtinë janë me çmim më të shtrenjtë”, theksoi ai.
Mendim të njëjtë ndan edhe Hysni Zuka, i cili thotë se përkundër që tash jemi 20 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, çmimet e barnave nëpër farmaci po dallojnë qind për qind.
“Ka hyrë në fuqi diçka që nuk hynë në fuqi kurrë se ashtu është situata e rastet specifike dhe nuk mund të realizohen…Unë kam blerë barna dallojnë qind për qind çmimet, shumë dallojnë“, thotë edhe ky banor i Prishtinës.
E nga Oda e Farmacistëve të Kosovës konsiderojnë se vendimi për listën zyrtare të çmimit të barnave është bërë vetëm për fushatë zgjedhore.
Zëvendëskryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Astrit Haxhijaha u shpreh se një vendim i tillë veçse ka filluar të shkaktojë mungesë të barnave në tregun vendor.
“Kjo është vetëm fillimi i mungesës së barnave sepse për shkak të formatit të gabuar dhe të ngutshëm të vendimit të MSH e gjithë kjo do të ketë një feedback jo të mirë. Ende nuk janë bërë dy javë nga zbatimi i këtij vendimi dhe çfarë alarmim të tregut kemi në sektorin farmaceutik apo në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare në vazhdimësi pritet t’i kemi mungesë të barnave edhe diku 1700 lloje të tjera në të cilën përveç kësaj do të kemi edhe tërheqje të kompanive farmaceutike, gjë që në njëfarë forme do të obligohen pacientët që këto lloj barnash të shkojnë t’i marrin nëpër shtetet tjera ose në një formë tjetër që të futen në mënyrë ilegale.
Se në barnatore ka filluar të ndihet mungesa e barnave e thonë edhe vetë farmacistët të cilët deklarojnë se pjesërisht po arrijnë ta zbatojnë vendimin për unifikim të çmimit të produkteve medicinale.
Farmacisti Gzonit Salihaj deklaroi se nga java e kaluar ka mungesë të artikujve esencial siç është glukoza 5%.
“Disa depo kanë filluar këtë javë me dal me listë të re të çmimeve, mirëpo shumica nuk janë me çmime të reja. Ato çmime që ne i kemi marr duke u bazuar dhe në javën e kaluar deklaruar të ATK-së që e ka lëshuar si vendim që ne nuk mundemi me shit barna ndër çmimet që i kemi bërë atëherë barnat që i kemi blerë me çmime të reja ne i aplikojmë çmimet e reja, mirëpo barnat të cilat janë me çmime më të larta sesa çmimi që është referuar atëherë biem në kundërshtim me ATK, jemi në mes dy zjarreve edhe në të njëjtën kohë ato na krijojnë edhe kosto…. Ato çmime që kemi hapësirë i kemi rregulluar, ndërsa çmimet tjera që nuk kemi pas hapësirë nuk kemi arritur me i rregullua….Prej javës së kaluar realisht është shfaq mungesa e një prej artikujve esencial që është glukoza 5% të një prej tretjeve që nevojitet edhe për vende spitalore kryesisht”, shprehet ky farmacist.
Edhe Shoqata e Distributorëve Farmaceutik dhe Medicinal të Kosovës paralajmëron që tregu farmaceutik në vend do të ballafaqohet edhe me mungesë të barnave esenciale për shkak të tërheqjes së prodhuesve nga tregu.
Sipas tyre si pasojë e kësaj liste do të ketë reduktim edhe të stafit në barnatore.
“Zbatimi në këtë mënyrë është shumë i vështirë pasi që i bie të shesim barna me çmime dukshëm më të lira se kostoja e tyre e importit e që sipas ligjit të ATK, mallrat e blera të cilat kanë paguar tatimin nuk mund të shiten nën koston blerëse. Gjithashtu vendimi dhe ligji nuk kane efekt prapakthyes…..Kjo liste, mund te shkaktojë efekte në mungesë të furnizimit të tregut në të ardhmen e afërt, gjë që mund të pritet në javët dhe muajt në vijmë sepse shumë kompani nuk do të mund të importojnë produkte me çmime nën kosto…. disa kompani do të detyrohen të reduktojnë stafin e tyre, largimin e produkteve nga tregu e në anën tjetër edhe furnizimet e produkteve për sektorin publik (spitale regjionale, SHSKUK, QKUK, burgje e institucione tjera shëndetësore) rrezikojnë të mbeten pa furnizime”, thuhej në përgjigjen e Shoqatës së Distributorëve Farmaceutik dhe Medicinal të Kosovës.
Në anën tjetër, nga Inspektorati Farmaceutik thonë se nga inspektimet e realizuara nëpër barnatore, është evidentuar zbatimi i vendimit të MSh-së për unifikim të çmimit të barnave.
“Inspektorati Farmaceutik nga 1 shkurt 2025 ka filluar dhe po vazhdon realizimin e inspektimeve në barnatore, me një fokus të veçantë në monitorimin e zbatimit të vendimit të ministrit për listën zyrtare të çmimeve të barnave, ku deri me tani janë realizuar 134 inspektime. Nga të gjeturat e Inspektoratit Farmaceutik, barnatoret kanë nisur tashmë të zbatojnë këtë vendim”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Farmaceutik.
Gjatë muajit maj të vitit 2024, ishte publikuar lista preliminare e çmimit të produkteve medicinale, por më pas ishte anuluar me arsyetimin se ka pas rritje të çmimit të 100 barnave.
Kuvendi i Kosovës në korrik të vitit 2023 e votoi Ligjin për çmimet e produkteve medicinale.