Të hënën dhe të martën në Leskovc të Serbisë thuhet se nuk ka pasur sheqer “as për ilaç”.

Madje, sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, shitësit nuk e dinë as nëse do të vijë dhe kur do të ketë ngarkesa të tjera.

Siç thuhet më tej, këto gjëra ushqimore nuk gjenden as në dyqanet e mëdha, ndërsa shfaqen në mënyrë sporadike në disa dyqane të tjera.

Ndërsa kur u pyetën, tregtarët e atij qyteti, nëse kërkesa e madhe e klientëve i kishte zbrazur raftet me sheqer, ata thanë se nuk kishte nxitim dhe se mendojnë se problemi është shkaktuar nga furnitorët.

Një raportim i tillë nga mediat serbe vjen në kohën kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se “historia për mungesën e sheqerit ka marrë fund” dhe se ka mjaftueshëm.

Në këtë kontekst, ndonëse nuk flet për mungesë totale, sandzakpress.net shkruan se në raftet e rrjeteve me pakicë dhe dyqaneve në Novi Pazar ka shumë pak nga ky produkt.