Mungesë stafi dhe turne të gjata: Turizmi i kthen sytë nga punëtorët e huaj

Në vështirësi për të gjetur punëtorë sezonalë, njësitë e shërbimeve turistike në Vlorë po eksplorojnë mundësitë e rekrutimit të shtetasve nga vende të treta si Bangladeshi, Nepali apo Filipinet.

Ermal Demaj, shef kuzhine në një rrjet hotelerie në Vlorë po punon këtë sezon turistik sa për tre vetë. Në kuzhinën e tij turnet janë të tejzgjatura, pasi pozicionet e punës për ndihmës-kuzhinierë mbetën vakante.

“Nuk i numërojmë më orët që punojmë; më gjeni këtu nga ora 11.00 e paradites deri në 23.00,” tha Demaj. “Bëj vetë nga listat e furnizimeve te përgatitjet e kontornove, që janë detyrë e ndihmësve,”shtoi ai.

Kuzhina nuk është shërbimi i vetëm me mungesë stafi. Demaj thotë se hoteli ku ai punon i nisi rekrutimet që në janar, por nuk arriti të gjejë punonjës të mjaftueshëm për të punësuar.

Ndërsa shumica e njësive të shërbimit në jug të vendit po përballet me probleme të ngjashme, pronarët e tyre i kanë kthyer sytë nga punonjësit e huaj nga vendet e treta për të kompensuar mungesën e interesit nga punëtorët vendas, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

Sipas Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Vlorë, në gjashtë bashkitë turistike në jug të vendit janë punësuar 1324 shtetas të huaj në 6-mujorin e parë të këtij viti, ku bashkia e Vlorës kryeson me gati 45% të totalit.

Lista e aplikimeve për leje pune vazhdon të kryesohet nga italianët, grekët apo gjermanët, por zyrtarët thonë se aplikimet e shtetasve nga Bangladeshi, Nepali, Egjipti apo Filipinet janë në rritje.

“Këta shtetas janë pajisur tashmë me dokumente,” tha Shpëtim Hasanaliaj, tashmë ish-drejtor i Kufirit dhe Migracionit në Vlorë, ndërsa shtoi se një sërë kërkesash ishin “ende në shqyrtim”.

Bregdeti i Vlorës | Foto nga Nensi Bogdani/BIRN
Mes aplikuesve të huaj për leje qëndrimi apo pune, vetëm 25% e kërkesave lidhen me sektorin e turizmit. Por Vasil Bedinaj, kreu i shoqatës së operatorëve turistikë në jug të vendit, parashikon që numri i tyre do të rritet në të ardhmen.

“Do të kërkojmë të punësojmë të huaj nga Lindja. Këtë sezon nuk arritëm në kohë pasi procedurat me agjenci serioze kërkojnë nga 3-6 muaj kohë,” tha Bedinaj për BIRN.

Bedinaj theksoi gjithashtu se rritja e pagave për punëtorët e shërbimeve këtë sezon nuk i dha zgjidhje mungesës së burimeve njerëzore.

“Mungesa e krahut të punës solli inflacion në tregun e pagave, duke sjellë rritje të kostove pa rritur cilësinë e shërbimit,” tha Bedinaj.

Bashkia e Vlorës ka të regjistruar rreth 24 mijë të punësuar, por kërkesat për punëtorë shtesë rriten gjatë sezonit turistik. Sipas kreut të Tatimeve, Sokol Kanani, Vlora punëson mesatarisht 2800 deri në 3600 punonjës sezonalë në vit.

Megjithëse në rritje, numri i punonjësve të huaj vazhdon të mbetet i ulët: ata zënë gati 18% të punonjësve shtesë sezonalë.

Në sektorin e turizmit, shtetasit e huajt janë punësuar kryesisht në mirëmbajtje apo kopshtari dhe më pak në shërbime të tjera si kuzhina apo recepsioni – kjo për shkak të barrierës së gjuhës.

Armando Mishgjoni, pronar i një restoranti në Vlorë, po përballet gjithashtu me mungesa të vogla. Biznesi i tij punon gjatë gjithë vitit dhe e ka më të thjeshtë të kompletohet me staf.

“Ky sezon iku me mangësi dhe vështirësi edhe për shkak të fluksit që nuk ishte ai që prisnim, por problemi i stafit është shqetësim që duhet adresuar për zgjidhje,“ tha Mishgjoni.

Megjithatë, ai nuk e sheh zgjidhjen te rekrutimi i punëtorëve të huaj.

“Punësimi i atyre që na shohin si trampolinë drejt Europës, jo vetëm që mund të mos jetë zgjidhje, por mund të na humbasë kohë,“tha Mishgjoni.

„Duhet të gjejmë mënyrën që të joshim të rinjtë tanë të qëndrojnë dhe të punojnë në turizëm,“ përfundoi ai.

Kategoritë
Ekonomi