Murati: Opsioni i fundit për VV-në janë zgjedhjet, s’lëvizim nga propozimi i Haxhiut për kryeparlamentare

Deputeti i VV-së, Hekuran Murati pas dështimit për herë të gjashtë radhazi të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ka thënë propozimi për një kandidat tjetër do të çonte në një bllokadë të re, ngase pastaj edhe kandidatët për nënkryetarë mund të kontestohen me të njëjtin parim.

Ai ka thënë se opsioni i fundit për VV-në mbeten zgjedhjet, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Ne kemi propozuar gruan më të votuar në zgjedhjet e fundit. Kjo flet për atë se si si VV jemi përkushtuar që Kuvendit të Kosovës t’ia japin një kryeparlamentare grua. Kjo nuk ndryshon, propozimi ynë mbetet i njëjtë.

Ne e kemi pa që i kemi 57 vota, e tabori tjetër 46. Situata është e tillë, duhet konsesus politik që mund të arrihet që të dakordohemi edhe për nënkryetarët. Vendi ka Qeveri në detyrë, çka mungon aktualisht është Kuvendi dhe këtu barra bie mbi të gjitha partitë që janë anëtare parlamentare.

Nuk është qëllimi jonë të shkojmë në zgjedhje. Ai do të ishte opsioni i fundit për neve. Nëse në fund të ditës  deputetët, përfaqësuesit e zgjedhur nga populli refuzojnë të konstituojnë Kuvendin, opsioni i fundit mbetet ai. Ne nuk jemi të interesuar për atë opsion. Opozita nëse kërkon kandidat tjetër, ai nuk është zhbllokim, është kalim në bllokadën e re, ngase kandidatët për kryetarë pastaj mund të kontestohen me të njëjtin parim. Kërkesa jonë është të ketë reflektim”, tha Murati para mediave.  /Reporteri.net/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi