Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka pohuar se gjatë qeverisjes së tyre paga mesatare bruto është rritur për të gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe privat.
Sipas Muratit, rritja në 3 vitet e fundit është rritur për 104 euro, përderisa në qeverisjet e kaluara për 7 vite ishte rritur vetëm 94 euro, transmeton Telegrafi.
Tutje, ministri ka shtuar se miti se me qeveritë e kaluara rriteshin pagat për të gjithë, bie përfundimisht.
“Përderisa është e vërtetë se në vite të caktuara kishte pasur rritje të pagave në sektorin publik me vendime në kohë fushate zgjedhore, të dhënat e dëshmojnë se kjo rritje ishte bërë në kurriz të sektorit privat”.
“Kjo gjë shihet qartë në vitin 2014, kur pagat në sektorin publik ishin rritur me vendim qeveritar gjatë fushatës, mirëpo mesatarja në tërë ekonominë, përfshirë sektorin publik dhe privat, ishte rritur vetëm 4.4%”./Telegrafi/