​Murati takon zv. presidenten e Bankës Evropiane për Investime

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka pritur sot në takim delegacionin e Bankës Evropiane për Investime (BEI) të kryesuar nga zëvendëspresidentja e BEI-së, Lilyana Pavlova.

Në komunikatën për media thuhet se ministri Murati ka falënderuar zëvendëspresidenten Pavlova për bashkëpunimin e suksesshëm me BEI-në përgjatë viteve, duke vënë theks në mbështetjen e bankës në investime infrastrukturore në vend.

“Gjithashtu, ministri e njoftoi Pavlovën edhe lidhur me indikatorët e fundit makrofiskal, si dhe masat e ndërmarra nga qeveria për mbështetjen e familjeve që nga fillimi i pandemisë”, thuhet po aty.

Po ashtu bëhet e ditur se, nga ana e saj, Pavlova u shpreh se BEI mbështet investimet që kontribuojnë në rritjen e qëndrueshme ekonomike të Kosovës, e të cilat integrojnë vendin edhe më tej në tregun rajonal dhe atë të BE-së.

“Ajo nënvizoi mbështetjen për zhvillimin e infrastrukturës së qëndrueshme të transportit, projekteve të energjisë së ripërtrishme, infrastrukturës së ujit dhe ujërave të zeza, si dhe sistemeve të arsimit dhe shëndetësisë”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim u diskutua edhe mbarëvajtja e projekteve aktuale në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime, si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në projekte të tjera me interes për qytetarët e vendit tonë.

Kategoritë
LajmeVendi