Në periudhën janar tetor 2021, të hyrat e realizuara në ATK janë 552.7 milionë euro, ose diku 126 milionë euro më shumë sesa në 2020-n. Gjatë 11 muajve të sivjetshëm, ATK-ja ka zhvilluar afër 1200 kontrolla ku janë konstatuar diku 52.3 milionë euro tatim shtesë. ATK-ja ka mbi 300 inspektorë të terrenit dhe ka nevojë për akoma më shumë.
Reforma e nisur në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), sipas drejtorit Ilir Murtezaj, nuk do ta kursejë askënd kur është në pyetje pagesa e tatimeve. Sidomos jo bizneset që konsiderohen “të fuqishme” dhe të lidhura me politikën, për të cilat Murtezaj thotë se janë mbi 7 mijë sosh, e të cilat nga viti 2016 deri me 2019 kanë realizuar qarkullim miliardësh pa paguar tatim fare.
Në një intervistë për Buletinin Ekonomik, Murtezaj thotë se tashmë dhjetëra raste të bizneseve të ‘fuqishme’ janë dorëzuar në organet e drejtësisë, për shmangie nga tatimi, ndërsa është rritur ndjeshëm numri i inspektimeve në terren.
“Vetëm gjatë peridhës janar-nëntor, janë zhvilluar afër 1200 kontrolla ku janë konstatuar diku 52.3 milionë euro tatim shtesë”, thotë Murtezaj, derisa shton se rritja e inspektimeve ka prodhuar rritje të të hyrave për këtë vit, duke u tejkaluar parashikimet.
“Në periudhën janar tetor 2021, të hyrat e realizuara gjatë kësaj periudhe janë 552. 7 milionë euro. Shumë kjo që nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, i bjen që diku 126 milionë euro kemi më tepër të hyra të realizuara më 2021, sesa në 2020-n. Në raport me planin kemi diku mbi 41 milionë euro më tepër sesa parashikimet, në përqindje mbi 8.5%”, shton Murtezaj.
Në këtë intervistë ai flet për reformën që po ndërmerret në tregun e arkave fiskale, planet e ATK-së për formalizim të punëtorëve, biznesin e kriptovalutave e shumë çështje të tjera.