Miliarderi dhe bashkëpunëtori i afërt i presidentit amerikan Donald Trump, Elon Musk, ka shprehur pakënaqësi ndaj vendimit të gjykatës franceze, me të cilin udhëheqëses së së djathtës franceze, Marine Le Pen, i ndalohet kandidimi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.
Le Pen është shpallur fajtore për shpërdorim të fondeve të Parlamentit Evropian.
“Kur e majta radikale nuk mund të fitojë në zgjedhje demokratike, e keqpërdor sistemin gjyqësor për të mbyllur kundërshtarët e saj,” deklaroi Musk sot.
Ai shtoi se kjo është një sjellje standarde që ndodh në mbarë botën.
Musk, muajt e fundit, është shfaqur si përkrahës i dukshëm i forcave politike të ekstremit të djathtë në Evropë, siç është partia AfD në Gjermani.
Kujtojmë se Le Pen u dënua nga gjykata me katër vite burg – dy prej të cilave me kusht – si dhe me një gjobë prej 100.000 eurosh.
Ajo ka të drejtën e apelimit ndaj këtij vendimi, i cili ende nuk është përfundimtar.