Musk pranon se nuk janë dërguar 50 milionë dollarë për prezervativë në Gaza: “Disa gjëra që them do të jenë të pasakta”

Miliarderi Elon Musk të martën hoqi dorë nga pretendimi i tij se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin planifikuar në të kaluarën të dërgonin prezervativë në vlerë prej 50 milionë dollarësh në Rripin e Gazës.

“Së pari, disa nga gjërat që them do të jenë të pasakta dhe duhet të korrigjohen,” tha Musk për gazetarët në Zyrën Ovale kur u pyet për raportimet se milionat e dollarëve ishin në fakt të destinuara për parandalimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme në provincën Gaza të Mozambikut.

“Do të gabojmë, por do të veprojmë shpejt për të korrigjuar çdo gabim. Nuk jam i sigurt nëse duhet të dërgojmë diku prezervativë në vlerë prej 50 milionë dollarësh. Sinqerisht, nuk jam i sigurt se është diçka për të cilën amerikanët do të ishin shumë të emocionuar. Dhe kjo është një sasi jashtëzakonisht e madhe prezervativësh. Nëse është dërguar në Mozambik në vend të Gazës, në rregull, nuk është edhe aq keq. Por pse po e bëjmë këtë?” tha Musk.

Komentet e tij erdhën pas pretendimeve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili më herët këtë muaj deklaroi se administrata e tij “identifikoi dhe ndaloi dërgimin e 50 milionë dollarëve në Gaza për blerjen e prezervativëve për Hamasin.”

Pretendimi u publikua fillimisht nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, gjatë konferencës së saj të parë për shtyp, duke thënë se Departamenti për Efikasitetin e Qeverisë (DOGE) dhe Zyra për Menaxhimin dhe Buxhetin (OMB) nën drejtimin e Musk kishin zbuluar “se rreth 50 milionë dollarë nga taksat e qytetarëve ishin përdorur për të financuar prezervativët në Gaza.”

Megjithatë, administrata nuk ka ofruar asnjë provë për të mbështetur këtë pretendim.

Një rishikim i të dhënave publike të USAID nga viti 2007 deri në 2023 e kundërshton këtë pretendim, duke mos treguar asnjë të dhënë për dërgesa prezervativësh në Gaza. E vetmja dërgesë në Lindjen e Mesme gjatë kësaj periudhe ishte një furnizim me vlerë 45.680 dollarë i dërguar në Jordani në vitin 2023, që ishte dërgesa e parë e regjistruar në rajon që nga viti 2019.

Sipas bazës së të dhënave për grantet e Departamentit Amerikan të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Sociale (HHS), Fondacioni Elizabeth Glaser Pediatric AIDS Foundation në Mozambik ka marrë mbi 83 milionë dollarë fonde që nga viti 2021 për projekte të shëndetit riprodhues në dy provinca: Inhambane dhe Gaza.

Kategoritë
BotaLajme