Shumë përdorues të rrjetit social X kanë publikuar statusin e Elon Muskut nga tre vite më parë, ku ai shprehte mbështetje të madhe për Ukrainën. Tani, kur SHBA-të po negociojnë me Rusinë për përfundimin e luftës në Ukrainë, shumëkush pyet – pse Musk ndryshoi mendim?
Ndër të tjera, në këtë rrjet social po shpërndahet statusi i Muskut nga marsi i vitit 2022, ku ai, së bashku me disa flamuj ukrainas, kishte shkruar: “Qëndro e fortë, Ukrainë”.
“Çfarë i ndodhi atij në këto tre vite?”, pyeti një nga përdoruesit.
Shpejt pas kësaj, erdhi edhe përgjigjja e Muskut.
“Rusia shkoi shumë larg para tre vitesh, ndërsa tani shumë larg po shkon qeveria ukrainase. Vdekja e pafund nëpër llogore është e gabuar dhe kujtdo që vazhdon ta shtyjë këtë situatë i mungon empatia dhe mençuria”, tha Musk.
Në ditët e para të kësaj lufte, Musk i dhuroi Ukrainës mijëra terminale satelitore Starlink për të zëvendësuar shërbimet e komunikimit që ishin shkatërruar nga Rusia, dhe u vlerësua si një nga aleatët më të rëndësishëm të Kievit.