Organizata më e madhe për të drejtat civile të myslimanëve në SHBA, Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR), e ka shpallur presidentin amerikan Joe Biden “kriminel lufte” për vendimin e tij për të vazhduar furnizimin e Izraelit me armë.
Në një deklaratë të formuluar ashpër, CAIR theksoi se veprimet e Bidenit i konsideron bashkëpunim në krimet e luftës.
“Financimi me vetëdije i krimeve të luftës në shkelje të ligjit amerikan dhe atij ndërkombëtar ju bën kriminel lufte. Me fjalët më të ashpra e dënojmë vendimin e presidentit Biden për të vazhduar furnizimin e paligjshëm të qeverisë izraelite me armë vdekjeprurëse, edhe pasi (kryeministri) Benjamin Netanyahu shkeli afatin 30-ditor të vendosur nga administrata për t’i dhënë fund urisë në Gaza,” thuhet në deklaratë.
Në një letër të datës 13 tetor, dërguar nga sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken dhe sekretari i mbrojtjes Lloyd Austin kolegëve izraelitë, SHBA i kërkoi Izraelit që të përmirësonte kushtet humanitare në Gaza brenda një afati 30-ditor ose do të përballej me pasoja.
Letra përmbante kërkesa specifike, përfshirë kushtin që të paktën 350 kamionë me ndihma të hynin çdo ditë në Gaza, si dhe direktivën për të shmangur miratimin e një ligji të diskutueshëm që do të ndalonte të gjitha aktivitetet e Agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) në Izrael dhe territoret e okupuara.
Megjithëse Izraeli nuk i ka zbatuar masat për të lehtësuar krizën humanitare në Gaza, Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi të martën se nuk ka ndryshime në politikë.
“Në këtë moment, nuk kemi arritur në një vlerësim që Izraeli po shkel ligjin amerikan,” u tha.
Tetë organizata humanitare, përfshirë Anera dhe Oxfam, publikuan një raport të martën duke theksuar se Izraeli “jo vetëm që nuk ka përmbushur kriteret amerikane për mbështetje të përgjigjes humanitare, por ka ndërmarrë hapa që kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën në terren, veçanërisht në veri të Gazës.”