Kosovarët njihen si popull i afërt me Amerikën dhe jo vetëm kaq. Historia e Kosovës padyshim se lidhet ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me faktin se të njëjtit ndihmuan në çlirimin e Kosovës, në arritjen e pavarësisë së shtetit, por edhe në ndërtimin e vendit.
Të gjitha këto faza nëpër të cilat ka kaluar populli i Kosovës kanë një lidhshmëri të ngushtë pikërisht me SHBA-të dhe me qeverisjet e ndryshme të cilat ishin të bashkuara për të ndihmuar dhe përkrahur Kosovën.
Por një marrëdhënie jo edhe shumë e afërt shihet të jetë në mes Qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës së fundi.
Qeveria Kurti është ndër qeveritë e pakta të Kosovës që nuk pati bashkëpunim të ngushtë me Amerikën, e kryeministri Albin Kurti vazhdon që të mos ftohet ende në Shtëpinë e Bardhë, siç zakonisht ftoheshin ish-kryeministrat e tjerë.
Dy ditë më parë në Amerikë u zhvilluan zgjedhjet presidenciale, të cilat bindshëm u fituan nga kandidati republikan, Donald Trump.
Trump arriti që të fitojë përqindje të lartë të votave, që i siguroi një fitore bindëse krahas kandidates demokrate, Kamala Harris.
E siç duket ardhja në pushtet e Donald Trump, për të dytën herë në Amerikë do të sjellë shumë ndryshime jo vetëm në Amerikë, por në gjithë botën. Ndryshime pritet të ketë edhe sa i përket Ballkanit, e kjo gjë u paralajmërua nga shumë njohës të këtyre marrëdhënieve.
Në lidhje me këto ndryshime politike, lajmi.net ka kontaktuar ish-kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.
Mustafa deklaroi se zgjedhja e Donald Trump është vullnet i qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se beson që Trump do të përmbushë pritjet e tyre.
Sipas Mustafës, Kosova ka pasur përkrahjen e qeverisë në kohën e Trump, por ka pasur edhe kërkesa të cilat janë shpërfillur nga ata që sot janë në Qeveri, Presidencë e në Kuvend.
“Kosova ka pasur përkrahjen e qeverisë në kohën e Trump, por ka pasur edhe kërkesa të cilat janë shpërfillë nga ata që sot janë në Qeveri, Presidencë dhe në Kuvend”, deklaroi Mustafa.
Sipas Mustafës, nëse sillemi si më parë, s’fitojmë asgjë, jo nga Donald Trump, por nga asnjë qeveri “siç edhe ndodhi me atë të Bajden”.
“Kemi kuadrat ë mira që kanë kultivuar bashkëpunim të frytshëm me Qeverinë Trump 1, megjithëse disa janë izoluar disa janë skajuar (ose diferencuar si në kohën e komunizmit)”, shtoi ai.
Ish-lideri i LDK-së tha se duhet të “mbushemi mend, ne jemi problemi, jo, Trump apo Grenell”.
E në Kosovë bujë të madhe bëri fitorja e Donald Trump pikërisht për shkak të disa deklarimeve që njerëzit e parë të shtetit kishin bërë për Trump-in dhe bashkëpunëtorin e tij të besueshëm, Richard Grenell.
Shumë prej liderëve kosovarë i kishin quajtur ata si “skandaloz” e të cilat nuk e duan askënd, e që mendojnë vetëm për interesat e tyre.
E një marrëdhënie aspak më e mirë e Qeverisë së Kosovës së fundi nuk ishte as me presidencën Biden.
E vetmja përfaqësuese shteti që së fundi thirrej nga Amerika në takime të ndryshme ishte presidentja Vjosa Osmani.
Ajo madje u ftua edhe nga vetë Biden, për takimin që u zhvillua në lidhje me diskutimet për situatën e luftës në Ukrainë.
E në lidhje me fitoren e Donald Trump ajo ishte e para që e uroi. Vjosa Osmani uroi Trump për fitore derisa tha se Amerika vazhdon të jetë aleat i besueshëm.
Kurse kryeministri Albin Kurti e uroi orë më vonë, por tha se mezi pret që të bashkëpunojë me presidencën e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Amerika vazhdon të jetë një aleat tejet i rëndësishëm për vendin tonë, sidomos në aspektin ushtarak dhe në përkrahjen që i jepet Kosovës ndër dekadash nga këta të fundit./Lajmi.net/