Ish-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi, ka reaguar lidhur me vendimin e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit në Serbi për emërimin e një gjyqtareje serbe në krye të Gjykatës për Kundërvajtje në Preshevë, raporton Ekonomia Online.
Ai në Facebook shkruan se mospërfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore po vazhdon dhe sipas tij diskriminimi po merr formë të qëllimshme.
“Vendimi i fundit i Këshillit të Lartë të Gjyqësorit për të emëruar Aleksandra Kuzmanoviq si kryetare të Gjykatës për Kundërvajtje në Preshevë, komunë me 94% të popullsisë shqiptare, është dëshmi e politikave të vazhdueshme diskriminuese ndaj shqiptarëve. Ky vendim, që anashkalon dhe margjinalizon profesionistët shqiptarë, është shembull flagrant i trajtimit të pabarabartë në sistemin gjyqësor”, shkruan ai.